Presidenti: Rreziku i terroristëve s'përjashton as Shqipërinë, kemi marrë masat

Autoritetet shqiptare kanë marrë të gjitha masat për të përballuar rrezikun e terrorizmit, me të cilin përballet Shqipëria, sikurse dhe vendet e tjera demokratike. Garancia është dhënë nga Presidentit i Republikës, Bujar Nishani, i cili tha se beteja ndaj terrorizmit është një betejë globale. Kreu i Shtetit ishte në Ambasadën franceze, ku shprehu ngushëllime për sulmin e 13 nëntorit që shkaktoi 129 viktima.Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, thotë se Shqipëria si një vend i lirë dhe tolerant  është e rrezikuar nga ekstremistët, sikurse edhe vendet e tjera që kanë të njëjtat vlera.Por Kreu i Shtetit, tregohet i vëmendshëm të ulë shqetësimin e shqiptarëve, duke garantuar se autoritetet shqiptare dhe institucionet ligjzbatuese kanë marrë të gjitha masat për të përballuar rrezikun.Nishani:“Rreziku i ekstremistëve dhe terroristëve nuk përjashton asnjë popull të lirë, asnjë shoqëri demokratike dhe asnjë vend që përçon civilizimin, përparimin, tolerancën dhe bashkëjetesën. Prandaj në këtë kontekst edhe Shqipëria si një vend që promovon këto vlera të mëdha të njerëzimit dhe të botës, të cilat konvergojnë të gjitha tek liria, nuk mund të përjashtohet nga agresioni i mundshëm i grupeve terroriste. Por kam konstatuar dhe kam vlerësuar të gjitha masat e marra nga agjencitë ligjzbatuese të shtetit shqiptar, të cilat janë plotësisht të angazhuara me kapacitete profesionale në partneritet të ngushtë me aleatët tanë, përfshirë edhe Francën për ta përballuar me shumë sukses. Kjo është një betejë shumë e madhe. Është një betejë globale dhe Shqipëria ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj të rëndësishëm në fitoren përfundimtare, siç e kam shprehur edhe më parë të lirisë mbi dhunën dhe të civilizimit mbi terrorin.  Madje ka pasur dhe një realitet i cili ka konverguar me rezultate konkrete të bashkëpunimit të gjitha këtyre institucioneve dhe agjencive.Zoti.President e shihni të arsyeshme mundësinë për të thirrur Këshillin e Sigurisë për të rakorduar të gjitha këto qëndrime që ju thatë?Nishani: Padyshim që është pjesë e diskutimit dhe kordinimit midis institucioneve dhe do të realizohet në momentet më të përshtatshme të interesit të vendit.Kreu i Shtetit i bëri komentet pasi shprehu ngushëllime në Ambasadën e Francës në Tiranë, për humbjen e 129 jetëve si pasojë e sulmeve terroriste ne Paris.