Nënshkruhet Marrëveshja për Krijimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor

Në kuadër të Konferencës vjetore të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Vishegradit (Çeki, Hungari, Poloni, Sllovaki) dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, ku morën pjesë gjithashtu zëvendës Presidenti i Komisionit Evropian Frans Timmermans, dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, Philip Hammond, u nënshkrua në Pragë Marrëveshja për Krijimin e Fondit te Ballkanit Perëndimor.Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë nënshkruan Marrëveshjen për Krijimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor.Krijimi i këtij fondi të përbashkët ka si qëllim financimin e projekteve të vogla dhe të mesme në fusha si arsimi, kultura, mjedisi, bashkëpunimi rinor, bashkëpunimi ndërkufitar, etj. Selia e Fondit do të jetë në Tiranë.Në konferencën për shtyp të mbajtur me këtë rast, Ministri Bushati theksoi se akti i nënshkrimit ishte kurorëzim i një bashkëpunimi konstruktiv disa-vjeçar mes vendeve të rajonit.Ai shprehu mirënjohjen për vendet e Vishegradit - Republikën Çeke, Poloninë, Hungarinë dhe Sllovakinë, për iniciativën dhe ndihmën në ngritjen e një fondi sipas modelit të Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit.Ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes u pasua nga një takim i ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor, ku ata diskutuan mbi hapat që duhen ndjekur deri në formalizimin e Fondit dhe fillimin e aktivitetit të tij.Kjo është hera e parë që në Shqipëri vendoset selia e një organizate rajonale, dëshmi e një kontributi në rritje të vendit tonë në drejtim të politikave të bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë.