Olsi Baze: Autoritetet franceze në kërkim të fabrikuesit të brezave me eksploziv
Autoritetet franceze janë vënë në kërkim të një shtetasi që konsiderohet si person kyç në hetimet për sulmet në Paris.Bëhet fjalë pikërisht për fabrikuesin e brezave të eksplozivit të kamikazëve. Politologu, Olsi Baze, në një lidhje telefonike për Ora News nga Parisi, tha se kanë nisur bastisjet në periferi të Parisit.Baze: “Kanë filluar në këto orë bastisje të reja në periferi të Parisit. Shikojmë që kemi të bëjmë me një rikuperim midis strukturave terroriste në Belgjikë, strukturave lokale të ISIS në Paris dhe disa personave që kanë ardhur nga Siria, terroristë që mund të jenë francezë me origjinë, ose edhe sirianë dhe egjiptianë të cilët janë bashkuar në një sulm të mirëkordinuar mes tre palëve. Njëkohësisht një nga personat që tentoi të bëjë atentatin në trenin e shpejtë Paris-Amsterdam, por që u neutralizua nga tre të rinj amerikanë, vinte nga i njëjti qytet dhe e njëjta lagje ku u arrestuan sot edhe të dyshuarit kryesorë që i dhanë bazën mbështetëse terroristëve që kryen sulmet në Paris.Autoritetet franceze janë të përqëndruara jashtëzakonisht tek identikti i një personi i cili është edhe ai që mund të ketë qenë si kryesor dhe është ai që ka fabrikuar brezat e shpërthimit të kamikazëve. Ai është njeriu që mund të japë përgjigje, pasi të gjitha brezat e kamikazëve me eksploziv kanë pasur të njëjtin lloj eksplozivi dhe të krijuara në të njëjtën mënyrë. Ky është njeriu kyç dhe autoritetet franceze janë përqëndruar në kërkimin dhe arrestimin e tij”.Duke u ndaluar në situatën 24 orë pas ngjarjeve, Baze tha se Parisi ishte sot mes kontrasteve, me zona ku jeta vijonte normalisht dhe të tjerat që u goditën mbrëmë nën ankthin dhe frikën për mundësinë e sulmeve të tjera.Baze: “Ka informacione më të plota mbi atë që ka ndodhur mbrëmë dhe është vullneti dhe dëshira për të tejkaluar këtë situatë dhe për t’iu rikthyer normalitetit.Parisi ka qenë sot një qytet me kontraste, dyqane të cilat ishin të hapura, por dhe dyqane shumë të mëdha dhe vende publike që ishin të mbyllura. Në disa pjesë të Parisit jeta vazhdonte normalisht, ndërkohë që në zonat ku ka ndodhur atentatet është një pamje tjetër.Njerëz të frikësuar. Nuk besoj që ka kaluar totalisht rreziku”.