Veseli apel opozitës të kthehet në Kuvend

Kreu i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli apelon tre partitë opozitare të kthehen në kuvend dhe të mos bllokojnë më seancat e institucionit që ai drejton.Në letrën publike drejtuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizjes Vetvendosje dhe nismës për Kosovën, Veseli bën thirrje për reflektim, duke nënvizuar se ngjarjet e fundit të ndodhura në Kuvend kanë dëmtuar imazhin e vendit në botë. Duke argumentuar rëndësinë e marrëveshjes së stabilizim asocimit, Kreu i kuvendit të Kosovës shprehet:Kadri Veseli : “Ngjarjet e fundit në Kuvendin e Kosovës, kanë dërguar në botë mesazhe jo të mira për ne. Imazhi ynë është dëmtuar. Janë lëkundur edhe pozicionet tona të korrektësisë reciproke politike dhe fryma e bashkëpunimit, falë të cilës kemi arritur suksese të përbashkëta historike.Ajo çfarë e dallon demokracinë nga format tjera të qeverisjes është besimi tek vlerat e debatit parlamentar dhe sundimit të ligjit.” Por opozita nuk duket se ka në plan të ndryshojë lëvizje. Në një konferencë për shtyp, tre krerët e partive AAK, VV dhe nisma referuar votimit kundër në asamblenë e UNESCO-s për anëtarësimin e Kosovës, deklaruan se diplomacia ka dështuar dhe se dialogu me Serbinë duhet të ndërpritet.Kosova ndodhet në ngërç politik që pas firmosjes së marrëveshjeve në Bruksel me palën serbe, ku opozita kundërshton krijimin e asosacionit me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi./Oranews.tv/