Haxhinasto: Operatorët e transportit të respektojnë ligjin, informaliteti i dëmton

Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto u ka bërë të qartë të gjithë operatorëve të transportit ndërqytetas se duhet të respektojnë ligjet dhe konkurrencën e lirë, në të kundërt do të përballen me penalitete të ashpra.Ministri Haxhinasto zhvilloi një takim me policët gri në kuadër të paketës kundër informalitetit në sektorin e transportit. Haxhinasto: Të gjithë të kuptojnë që informaliteti jo vetëm dëmton biznesin, këtë duhet të kuptojnë edhe operatorët e transportit që informaliteti i tyre i dëmton vetë ata. Duke mos zbatuar normat e mosfunskionimit të tyre, ata kontribuojnë në një situatë anarkike të tregut. Nëse do të kemi një rregullim të tregut edhe ata do të operojnë me kritere dhe rregulla normale konkurrence dhe ky është problemi më i madh që ka transporti ndërqytetas, që operon në mënyrë jo normale. Qëllimi ynë është që të gjithë operatorët e trasnportit ndërqytetas të respektojnë ligjin dhe kriteret e konkurrencës me qëllim që ky treg që sot është i sëmurë të kthehet në një treg të shëndetshëm, ku vetë bizneset të kenë mundësi të rikuperojnë investimin e tyre dhe të investojnë për të rinovuar flotat që janë në gjendje të rënde dhe t’i ofrojnë qytetarëve një cilësi shumë më të mirë sesa është sot.