Ministri Ditmir Bushati: Sot fokusi ynë është në vatrat e terrorizmit
Lufta kundër terrorizmit kërkon më shumë bashkëpunim dhe qasje të qëndrueshme politike.Kështu u shpreh Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në ceremoninë e 70 vjetorit të krijimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.Kryediplomati tha se prej kohësh, bota po përballet me pasojat e rënda të terrorizmit.Bushati: Për vite me radhë bashkësia ndërkombëtare ka pasur në fokus asgjesimin e vatrave të terrorizmit. Sot fokusi ynë është zhvendosur në përballimin e pasojave të drejtëpërdrejta të këtyre vatrave mbi Europën dhe rajonin tonë. Lufta kundër terrorizmit nuk mund të ketë sukses vetëm përmes ndërhyrjeve ushtarake pa u shoqëruar nga një proçes politik i qëndrueshëm.Duke folur për trashëgiminë e vendeve, Bushati mbështeti anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.Bushati: Duke parë rëndësinë e veçantë të pjesmarrjes në UNESCO, si një element me peshë në ndërtimin e shoqërive demokratike, Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.Kosova e meriton anëtarësimin në UNESCO dhe Shqipëria do të vazhdojë të japë mbështetjen e pakursyer në këtë drejtim. Mbështetja e Kosovës nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s në fillim të nëntorit do të përbënte një mesazh inkurajues për proçesin e normalizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve në rajonin tonë.Numri një i diplomacisë shqiptare vlerësoi rolin e OKB-së në këto 7 dekada.Sipas Bushatit, Organizata e Kombeve të Bashkuara mbetet një platformë e pazëvendësueshme në zgjidhjen e krizave globale./Oranews.tv/