Shkarkimi i rektorit të Universitetit të Prishtinës nxit reagime të shumta

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, që është universiteti më i madh dhe i vjetri në vend, shkarkoi të mërkurën rektorin e këtij universiteti, Ramadan Zejnullahu, duke shkaktuar një valë reagimesh edhe të institucioneve më të lartë të Kosovës.Kërkesa për shkarkimin e rektorit Zejnullahut ishte shtruar nga njëzetë e tetë anëtarë të Senatit të Universitetit të Prishtinës. Në kërkesë numëroheshin disa arsye për shkarkimin e rektorit, mes tjerash, edhe për siç thuhej, shkeljet ligjore, bllokimin e mbledhjeve të Senatit, ndërprerjen e konkurseve për studime të doktoratës, etj.Rektori i shkarkuar tha në një reagim se “vendimi i Këshillit nuk kishte të bënte me mua ose me stafin tim, por me idenë e reformës dhe progresit që ne po e përkrahim fuqishëm dhe idenë e mashtrimit dhe shantazhit që e përkrahin disa njerëz të fuqishëm. Sot, fatkeqësisht, fitoi kjo e dyta”.Qeveria e Kosovës e e cilësoi jo të drejtë dhe të dëmshëm për Universitetin e Prishtinës vendimin për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu. Në një komunikatë të qeverisë thuhet se “kryeministri Isa Mustafa, në koordinim të plotë me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, do të kërkojnë rishikimin e këtij vendimi. Qeveria e Kosovës konsideron se Universitetit të Prishtinës nuk i duhen veprime të tilla që e dëmtojnë atë pikërisht në periudhën kur po bën hapa të mëdhenj përpara në drejtim të ngritjes së cilësisë dhe avancimit të gjithëmbarshëm”.Qëndrimi i qeverisë u mbështete nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ndërsa në orët e mbrëmjes, ministri i arsimit shkarkoi nga detyra anëtaren e Këshillit Drejtues Shefkije Islamaj që ishte emëruar nga kjo ministri.Universiteti i Prishtinës u themelua 45 vjet më parë dhe deri vonë ishte i vetmi universitet publik në Kosovë.