Fluksi i emigrantëve, Presidenti i Sllovenisë kërkon forca policore shtesë nga BE
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, do ti kërkojë Bashkimit Europian forca policore shtesë, me qëllim menaxhimin e fluksit të emigrantëve në kufirin me Kroacinë, ku mijëra njërëz të larguar nga lufta po tentojnë të arrijnë Austrinë, Gjermaninë dhe vendet skandinave.Gjatë një konference për shtyp, pas takimit me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk dhe kreun e ekzekutivit të Bashkimit Europian Jean-Claude Juncker, Pahor u shpreh optimist se Komisioni Europian do të miratojë kërkesën e tij.Presidenti tha se në kërkesat e tij është edhe ndihma financiare nga Bashkimi Europian, teksa më herët Sllovenia pohoi se do të dërgojë ushtrinë për të rritur sigurinë në kufirin e saj.Përpjekjet e Sllovenisë për të kufizuar fluksin e emigrantëve që kur Hungaria mbylli kufirin e saj me Kroacinë, kanë shkaktuar tensione në vendet ballkanike, ku mijëra njerëz po presin në pikat kufirtare në shi dhe të ftohtë.Sipas OKB, aktualisht në Serbi ndodhen 12.100 emigrantë, prej të cilëve 2.500 kanë mbetur të bllokuar në tokën e askujt ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë.Që nga e premtja e shkuar, në Slloveni kanë hyrë rreth 19.500 klandestinë, shifër e cila është e vështirë të menaxhohet nga një vend i vogël prej dy milionë banorësh.Sipas Kombeve të Bashkuara, këtë vit në Greqi kanë mbërritur nga deti rreth gjysmë milioni refugjatë, numër i cili vijon të rritet pasi klandestinët po nxitojë të arrijnë në destinacionet e tyre si pasojë e uljes së temperaturave.