Biznesi ankohet për gjoba të padrejta, 60 apelime në ditë

Bizneset ankohen për gjoba të padrejta që tatimorët po vendosin në kuadër të luftës kundër informalitetit. Madje, po vendosen gjoba për mungesë kase, tek subjektet që të gjitha transaksionet i kryejnë me bankë. Penalitetet shpesh herë abusive kanë rritur ndjeshëm numrin e apelimeve, që arrijnë në rreth 60 në ditë.Biznesi denoncon gjobat arbitrare që po vendosen nga tatimet në kuadër të operacionit kundër informalitetit. Gjoba për mungesën e kasës fiskale po vendosen edhe te subjektet që të gjitha veprimet  i kryejnë me bankë, gjë që është në kundërshtim me ligjin.Bujar Bendo, përfaqësues i biznesit: Një grup kontrolli ka për detyrë që të shikojë që ke kasë apo jo dhe ngelet tek kjo pjesë. Vjen fut kokën tek subjekti, thotë ke kasë, nuk kam kasë, vë gjobën. Pa marrë parasysh që vetë ligji nuk është i tillë. Ligji thotë: Nëse një subjekt kryen transaksione në bankë atëherë nuk ka nevojë të pajiset me kasë. Nuk bëhet një gjykim i tillë. Librat janë të deklaruar. Çdo gjë është e verifikueshme, grupet e kontrollit nuk vazhdojnë logjikën dhe verifikimin e dokumentacionit për subjekte të tilla, por vetëm vendosin gjoba. Vendosja e gjobave është shoqëruar me numër të madh apelimesh. Sipas të dhënave, cdo ditë pranë drejtorisë së apelimeve në tatime mbërrijnë rreth 60 apelime, kryesisht nga biznese të vogla. Ndërsa në total, që nga 1 janari i këtij viti deri në shtator numri i apelimeve ka arritur në rreth 7 mijë, nga 2500 që ka qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Apelimet kanë të bëjnë kryesisht me kundërshtimet e biznesit ndaj zbatimit të kontrolleve dhe funksionimit të sistemit tatimore./Oranews.tv/