Dukagjin, digjen 32.676 bimë kanabis, gjendet arsenal armësh pranë vendit ku u qëllua helikopteri

Dita e parë e operacionit të forcave të policisë në zonën e Dukagjinit në Shkodër është përmbyllur me mijëra bimë kanabis të asgjesuara dhe arsenal armësh të sekuestruar.Blutë bëjnë me dije se janë shkatërruar 173 parcela me 32.676 bimë kanabis në territorin e fshatrave Plan,Gjurë,Kujë dhe Temal.Forcat e Policisë kanë operuar në një terren mjaft të vështirë, të pyllëzuar dhe shumë të thepisur.Gjatë operacionit antikanabis, blutë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një arsenal armësh dhe municionesh. Ato u zbuluan në një shpellë të përshtatur për të qëndruar.“Armët ishin të fshehura brenda shpellës në një mur të ndërtuar me gur.U gjetën afër vendit ku është qëlluar me armë helikopteri i Policisë vitin e kaluar gjatë operacionit antikanabis” thuhet në njoftimin e policisë.Armët dhe municionet do dërgohen për ekzaminim të mëtejshëm në laboratorin kriminalistik, ndërsa operacioni antikanabis do të vijojë edhe përgjatë ditës së mërkurë, 2 gusht