Tensione mes Seulit dhe Phenianit
Koreja e Veriut ka ndërprerë linjën e fundit të drejtpërdrejtë ushtarake me Seulin, duke thënë se ajo nuk është më e nevojshme meqë “lufta mund të shpërthejë në çdo moment”. Linja telefonike përdorej për të bashkërenduar kalimin e punëtorëve nga Koreja e Jugut në një kompleks të përbashkët industrial në Veri.Edhe në të kaluarën, Pheniani ka prerë linjat ushtarake, duke i lënë punonjësit koreanojugorë të bllokuar në kompleks. Por punonjësit njoftuan se puna vazhdoi sot si zakonisht në kompleksin industrial Kaesong.Tensionet në Gadishullin Korean janë acaruar së tepërmi kohët e fundit, ndërsa si Veriu ashtu edhe Jugu i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara kanë demonstruar përgatitjen e tyre ushtarake.Në demostrimin e fundit të forcës, Koreja e Veriut tha se forcat e armatosura amerikane ndërmorën pesë misione fluturimi mbi Korenë e Jugut me avionë B-2. Në deklaratë thuhet se bombarduesit me kapacitet bërthamor fluturuan 10 mijë kilometra nga një bazë mesperëndimore e Shteteve të Bashkuara në Gadishullin Korean, duke kryer një manovër alarmi dhe pastaj u kthyen në Shtetet e Bashkuara.