Bersani nuk arriti të krijojë qeverinë e re! Po tani.. çfarë?
Kreu i koalicionit të qëndrës së majtë, Pier Luigi Bersani, nuk arriti të bindë partitë e tjera për krijimin e një qeverie te re!Ashtu si e kishte urdhëruar vetë Presidenti i Italisë, Xhorxhio Napolitano një javë më parë. Pas rreth një ore ku dy liderat biseduan, Napolitano deklaroi se "Konsultimet e Pierre Luigi Bersanit për të formuar një qeveri, nuk patën rezultate ".Bersani deklaroi para Presidentit se përpjekjet e tij nuk kanë pasur rezultat." Në këtë pikë, Presidenti ka vendosur për të kontrolluar vetë këtë situatë ", tha Bersani para gazetarëve. Gjithashtu kreu i partisë tha se disa nga kushtet e parashtruara nga partitë e tjera politike ishin "tërrësisht të papranueshëme", duke mos dhënë detaje të mëtejshme.Bersani ka kaluar javën e fundit në kontakte me partitë politike dhe organizatat shoqërore, në një përpjekje për të zgjidhur ngërçin politik që ka ardhur në Itali, por pa dobi. Ai ka hedhur poshtë kërkesën e Silvio Berluskonit, i cili ka ofruar Anxhelino Alfano, numri dy i partisë së tij Populli i lirisë, si zëvendëskryeministër. Ndërsa Lëvizja Pesë Yjet, e komedianit Bepe Grillo, ka përjashtuar pjesëmarrjen në çdo qeveri, nëse liderit të saj nuk i ofrohet pozicioni i kryeministrit. Bersani një ditë më parë deklaroi se "Vetëm një person i sëmurë mendërisht do të kishte këtë dëshirë të papërmbajtur për të qeverisur vendin në këtë moment".Kryetari i së majtës u rendit i pari në zgjedhjet e Shkurtit, por që kabineti i ri qeveritar të vihet në detyrë, ai duhet që të marrë votëbesimin e dy dhomave të parlamentit italian. Bersani ka numrat në Dhomën e Ulët, por i mungon mazhoranca në Senat. Ku duket se mungesa e vullnetit të krahut të Berluskonit dhe Grillos për të bashkëpunuar, e ka bërë të pamundur formimin e një qeverie.Sipas analistëve politikë, pritet që Presidenti Italian, të Premten të caktojë mandat formimi të një qeverie nga një institucioni qeveritar ose çdo agjent, apo një person që nuk është i përfshirë në grupet kryesore të partive politike italiane.