Bersani: Kush do të bëhet kryeministër i Italisë tani, është i çmendur
Kreu i Partisë Demokratike, Pier Luigi Bersani, ka bërë përsëri thirrje për formimin sa më të shpejtë të një qeverie, ndërsa duke ironizuar komedianin Grillo, tha se "vetëm një i sëmurë mendor do të donte të ishte kryeministër i Italisë në këtë moment".Kryetari i koalicionit të qendrës së majtë Bersani, u rendit i pari në zgjedhjet e Shkurtit, por që kabineti i ri qeveritar të vihet në detyrë, Bersani duhet që të marrë votëbesimin e dy dhomave të parlamentit italian. Bersani ka numrat në Dhomën e Ulët, por i mungon mazhoranca në Senat. Duket se mungesa e vullnetit të krahut të Berluskonit dhe Grillos për të bashkëpunuar, e ka bërë të pamundur formimin e një qeverie. Bersani ka hedhur poshtë kërkesën e Silvio Berluskonit, i cili ka ofruar formulën Bersani kryeministër dhe Anxhelino Alfano, numri dy i partisë së tij PDL, si zëvendëskryeministër. Tani i duhet domosdoshmërisht bashkëpunimi me Bepe Grillon, nëse nuk arrijnë dhe me këtë në një marrëveshje atëherë zgjedhje të reja do të shpallen në Qershor.Ndërkohë lëvizja "Cinque Stelle" e komedianit Grillo ka përjashtuar pjesëmarrjen në çdo qeveri, nëse liderit të saj nuk i ofrohet pozicioni i kryeministrit.Bersani duke iu referuar kryetarëve të "Cinque Stelle"-s deklaroi se "Vetëm një person i sëmurë mendërisht do të kishte këtë dëshirë të papërmbajtur për të qeverisur vendin në këtë moment".Pas pesë javësh bisedimesh, tre blloqet kryesore politike refuzojnë të formojnë aleanca midis tyre, ndërsa asnjë aleancë tjetër, e një prej këtyre tre koalicioneve me një parti të katërt nuk do të garantonte shumicën në parlament.Ngërçi politik në Itali ka ndikuar negativisht në krizën ekonomike, të ekonomisë së tretë më të madhe në Eurozonë, ndërsa shanset për zgjedhje të reja të parakohshme po shtohen gjithmonë e më shumë.Aktualisht, Italia është duke u përballur me rënien ekonomike më të gjatë në 20 vjet, që ka shkaktuar rënien e indekstit të kreditit në vlerësimin e rrezikshëm BBB+.Gjithashtu, Italia përballet me një borxh kombëtar kolosal, i cili kap vlerën e 2,6 trilion dollarëve (120% e PBB-së).