Kosova në UNESCO përçan politikën serbe
Kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatën ndërkombëtare të UNESCO-s, duket se ka përçarë politikën në Serbi. Sipas mediave në Beograd, kryeministri Aleksandër Vucic, ka pranuar të nënshkruajë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, por ka hasur në kundërshtimin e hapur të kreut të shtetit Tomisllav Nikolic dhe shefit të diplomacisë Ivica Dacic.Madje mediat vendase si e përditshmja "Danas"shkojnë edhe më larg, ndërsa shkruajnë se anëtarësimi i Kosovës në këto organizma, aq shumë i kundërshtuar nga Serbia, ka shfaqur edhe shenjat e para të një plasaritjeje të mundshme jo vetëm të politikës serbe por edhe të qeverisë së Vuçiç.Madje pritet që marrëveshja e rradhës që do të firmoset në Bruksel, mes Prishtinës dhe Beogradit do të jetë pikërisht për mos-pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkomëbëtare si UNESCO, INTERPOL etj, pasi kjo është një kërkesë e qartë e kancelares Merkel ndaj kryeministrit Vuçiç në korrik të këtij viti gjatë vizitës në Serbi.Nëse kjo marrëveshje arrihet në takimin e rradhës mes palëve më 25 gusht, atëherë pritet që brenda ekzekutivit serb, të nisë një luftë e hapur. E duket se ai që do të humbasë dukshëm mbështetjen, është kryeministri serb Vuçiç, i cili në Bruksel do të shkojë pa bekimin e presidentit dhe krahut të tij të djathtë, ministrin Ivica Daçiç.Ky i fundit, vetëm një javë përpara takimit të rradhës, i ka dërguar një letër të hapur drejtores së UNESCO-s Irina Bokova, duke i kërkuar të mos e pranojë Kosovën në organizatë pasi kjo do të përbënte sipas tij shkelje të rregullave për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Bashkë me Kosovën, edhe 15 shtete po punojnë për anëtarësimin e saj, nga Europa, Afrika dhe SHBA.