Stuhia dëmtoi 76 fidra, pa drita Dropulli, në Radhimë rikthehet energjia

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bën të ditur se 76 fidra janë jashtë pune e për pasojë ka probleme në furnizimin me energji elektrike në zonat Shkodër-Lezhë , Fier-Vlorë, Durrës, Elbasan, Tiranë.OSHEE shpjegon se moti i keq me stuhi shiu e shkarkime elektrike gjatë pasdites e natës së mbrëmshme ka nxjerrë jashtë pune disa linja të tensionit të lartë e të mesëm, për të cilat grupet e punës së avarive po punojnë për ti riparuar.Ndërkaq Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sqaron gjithashtu se vijon të jetë me defekt linja Gjirokastër - Grapsh. Zonat që kanë mbetur pa energji janë: Dropull i poshtëm, Dropull i sipërm, Zagori, Pogon, Qendër dhe Libohovë.Ndërkaq në orët e para të ditës së sotme u vu në punë linja 30 kiloVolt Uji i Ftohtë - Radhimë e për pasojë mori energji Radhima, Orikumi, Tragjasi, Dukati si dhe linja Radhimë-Orikum. Ndërsa mbetet pa energji Zona e Pashalimanit.