Kroacia në 1 Korrik në Bashkimin Europian
Komisioni Europian ka pranuar Kroacinë për t'u bashkuar me Bashkimin Europian në datën 1 Korrik, si anëtarja e 28-të. Sipas raportit përfundimtar, Kroacia i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Komisioni i Europës."Kroacia i ka plotësuar të gjitha kushtet për bashkim… Mendoj se është shembull i shkëlqyeshëm për vendet e tjera kandidate", tha Komisionari për zgjerim i BE-së, Stefan Fyle, gjatë fjalimit në mbledhjen e Qeverisë së Kroacisë, ku paraqiti raportin final të monitorimit.Anëtarësimi i Kroacisë mund të realizohet pasi të 27 vendet anëtare të ratifikojnë marrëveshjen. 19 shtete kanë dhënë miratimin e tyre zyrtar deri më tani dhe nuk pritet të evidentohen probleme në marrjen e aprovimit nga tetë vendet e mbetura.Megjithatë, në raportin monitorues të KE-së, theksohet se Zagrebi zyrtar duhet të marrë masa të mëtejshme për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kroacia, e cila negocioi me Brukselin dhjetë vjet për anëtarësimin, shndërrohet në vendin e parë që i bashkohet BE-së, që prej Bullgarisë dhe Rumanisë në 2007-n.Ndërsa shtetet e tjera, që shpresojnë të anëtarësohen në BE, Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Bosnjë Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova, ende i pret rrugë e gjatë.