Ligji, ndryshimet që priten në arsimin e lartë

Ligji i arsimit të lartë parashikon një sërë ndryshimesh në mënyrën e funksionimit të universiteteve. Së pari, financimi i universiteteve do të bëhet në bazë të performancës, ku më të mirët do të kenë buxhet më të lartë. Gjithashtu nuk do të jetë vetëm shteti financues, por IAL do të kenë disa burime financimi. Për herë të parë, me ligjin e ri universitetet do të vendosin vetë mbi kuotat e pranimit dhe tarifat e studimit. Gjithashtu universitetet do të zgjedhin numrin e personelit, pagën, kriteret dhe procedurat për zgjedhjen e tyre. Një tjetër ndryshim është ai i rikthimit të mesatares për në universitet. Veç kësaj nuk do të ketë më ndarje universitet publik dhe privat, por ato do të quhen institucione të arsimit të lartë. Në draft parashikohet edhe që studentët të marrin kredi studentore dhe MAS do të shërbejë si ndërmjetësuese. Ndërkohë, do të ofrohen tre lloj bursash, për degët me prioritet kombëtar, për studentët e ekselencës dhe ata që nuk kanë mundësi financiare. Ligji i arsimit të lartë parashikon edhe pesë tarifa që duhet të paguajnë studentët.

Financimi i universiteteve

Sipas ligjit të ri të arsimit të lartë, financimi do të bëhet në bazë të performancës. Më të mirët do të kenë edhe një buxhet më të lartë dhe ndryshe nga më parë kur financimi bëhej në bazë të numrit të studentëve. Sipas zyrtarëve të MAS, kjo do t’i shtyjë institucionet e arsimit të lartë të përmirësojnë shërbimin dhe cilësinë e mësimdhënies, të gjenerojnë më shumë kërkim shkencor apo edhe bashkëpunim me të huajt. Gjithashtu do të ketë disa burime financimi dhe nuk do të jetë vetëm shteti burim të ardhurash për universitetet publike. Institucionet Publike të Arsimit të Lartë do të financohen nga: “Buxheti i shtetit; pagesat e studentëve për arsimim; të ardhurat për shërbimet e kryera; të ardhurat e krijuara nga marrëdhëniet me palët e treta; donacione dhe ndihmesa të tjera; veprimtari kërkimore-shkencore; burime të tjera të ligjshme financimi. Të ardhurat e përfituara nga shërbimet, veprimtaritë kërkimore-shkencore, konsulencat si dhe çdo e ardhur që realizohet nga veprimtaria ku merr pjesë personeli akademik, i shkon këtij të fundit si e ardhur direkte mbi pagën në masën deri në 90%”. Gjithashtu në draft thuhet se Institucionet Publike të Arsimit të Lartë rregullojnë në aktet e tyre të brendshme mënyrën e përdorimit të fondeve të krijuara nga të ardhurat e përcaktuara në këtë nen, me përjashtim të të ardhurave nga buxheti i shtetit.

Autonomia e IAL

Ligji i ri u jep të drejtë universiteteve publike të vendosin vetë në lidhje me kuotat e pranimit të studentëve në bazë të kapaciteteve që ata kanë. Pra, kuotat nuk do të miratohen më me vendim të këshillit të ministrave, por do të jenë vetë universitetet që do ta përcaktojnë. Gjithashtu universitetet do të kenë të drejtë të vendosin tarifat e studimit, pra nuk do të përcaktohen më me VKM. Gjithashtu universitet do të zgjedhin numrin e personelit, pagën, kriteret dhe procedurat për zgjedhjen e tyre. Një tjetër ndryshim është ai i rikthimit të mesatares për në universitet. Tashmë, të gjithë studentët që do të duan të fillojmë studimet e larta, duhet të përmbushin mesataren që do të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, në bazë të degëve përkatëse. “Institucionet e arsimit të lartë gëzojnë liri akademike, autonomi financiare, organizative dhe të përzgjedhjes së personelit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Liria akademike garantohet nëpërmjet së drejtës për të organizuar veprimtaritë e mësimdhënies, ato kërkimore-shkencore, të inovacionit, si dhe veprimtaritë krijuese; Autonomia financiare garantohet nëpërmjet së drejtës për të krijuar të ardhura të ligjshme nga veprimtaritë e mësimdhënies, nga veprimtaritë kërkimore-shkencore, të drejtat intelektuale, nga markat dhe patentat, nga shërbimet, nga tre veprimtaritë artistike e sportive, si dhe nga veprimtari të tjera ekonomike, të cilat përdoren në përputhje me legjislacionin në fuqi. Autonomia organizative dhe e përzgjedhjes së personelit garantohet nëpërmjet së drejtës për t’u vetëqeverisur, për të zgjedhur organizmat drejtues”, përcaktohet në ligjin e arsimit të lartë.

Krijimi i IALPP

Nuk do të ketë më institucione publike apo private, por ato do të quhen institucione të arsimit të lartë. Ligji nuk i detyron që të kthehen në institucione të arsimit të lartë publik të pavarur. “Shteti konsiderohet themelues i IALPP-së të krijuar si rrjedhojë e transformimit të IAL publike. Personi juridik themelues i IAL jopublike konsiderohet themelues i IALPP-së që krijohet si rrjedhojë e transformimit të IAL jopublike. IALPP mund të krijohet edhe si rezultat i bashkimit të dy ose më shumë IAL-ve. Themeluesit e IAL-ve ekzistuese konsiderohen bashkëthemelues të IALPP. IALPP mund të krijohet edhe si rezultat i kontributit të disa bashkëthemeluesve”, nënvizohet në draft.

Kredia studentore

Për herë të parë, studentëve u jepet mundësia e marrjes së kredive për të vijuar studimet. Do të jetë Ministria e Arsimit, e cila do të ndërmjetësojë kreditimin e studentëve, me qëllim mbështetjen financiare për përballimin e kostos. Mirëpo, kjo pikë ka hasur kundërshtime nga studentë dhe pedagogë. Studentët pretendojnë se kjo i kthen në klientë, ndërsa pedagogët kanë pohuar se është mjaft e vështirë të shlyhen kreditë në këtë krizë papunësie që ka ndër radhët e të rinjve. “Kredia studentore është e hapur për aplikim, për të gjithë studentët që vazhdojnë studimet në programin e studimit ‘Bachelor’ dhe në programet e integruara, në institucionet e arsimit të lartë. Skema e kreditimit studentor përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, përcaktohet në ligj.

Bursat për studentët

Ligji përcakton se do të ofrohen bursa studimi për studentët e ekselencës, ata në nevojë si dhe do të ketë bursa për degët me prioritet kombëtar. Ligji bën financimin publik për studentët në nevojë, duke krijuar një formë të posaçme burse për të gjitha kategoritë, të cilat për shkak të mundësive financiare nuk ndjekin dot studimet. Do të krijohet një fond i posaçëm bursash për studentët që ndjekin degët me prioritet kombëtar. Do mbështeten edhe studentët e ekselencës.

Pesë tarifat

Për të vazhduar universitetin, tashmë sipas ligjit të ri, studentët duhet të paguajnë pesë tarifa. Një është tarifa e aplikimit, që është vlera monetare që shlyen studenti për aplikim në një program studimi. Tarifa tjetër është ajo e konkurrimit që është vlera monetare që shlyen studenti për të konkurruar pranë institucionit të arsimit të lartë, për të fituar në një program studimi, në ato raste kur institucioni parashikon zhvillimin e konkursit. Tarifa e regjistrimit është vlera monetare që shlyen studenti për t’u regjistruar në një program studimi. Një tjetër, tarifa e shkollimit, e cila është vlera monetare që shlyen studenti për ndjekjen e një programi studimi pranë një institucioni të arsimit të lartë. Tarifa e studimit, që përfshin tarifën e regjistrimit dhe tarifën e shkollimit. / Marre nga Gazeta SHQIP