Bersani merr në dorë Italinë
Presidenti italian, Giorgio Napolitano mandatoi liderin e së majtës italiane, Pier Luigi Bersani për formimin e qeverisë së re.Napolitano priti në zyrat e tij, kryetarin e Partisë Demokratike, që fitoi zgjedhjet e 24 dhe 25 Shkurtit që kaloi. Pier Luigi Bersani, mundi të sigurojë mazhorancën në Dhomën e Ulët, por jo mandatet e nevojshme në Senat për të formuar një qeveri, pa u dashur të krijohet një koalicion. Që të krjohet qeveria në Itali, duhet të gëzojë besimin e të dyja dhomave të parlamentit, si të Dhomës së Ulët ashtu edhe të Senatit.Mandatimi nga ana e presidentit Napoletano, është hapi më i vogël i Bersanit drejt rrugës për formimin e qeverisë së re. Sfida e vërtetë është gjetja e votave të nevojshme në parlament për mbështetjen e qeverisë. Tre forcat kryesore që kontrollojnë shumicën dërrmuese të mandateve si në Dhomë ashtu edhe në Senat, Partia Populli i Lirisë e Berluskonit, Partia Demokratike e Bersanit dhe Partia Lëvizja Pesë Yje e komedianit Beppe Grillo, në gjithë këtë periudhë paszgjedhore kanë përjashtuar kategorikisht aleancat me njëra-tjetrën.Nëse brenda afateve ligjore, Bersani nuk mund të ndërtojë qeverinë e re, atëherë italianët do t'u drejtohen sërish kutive të votimit.Takimi i presidentit italian me Bersanin u zhvillua një ditë pas takimit që kreu i republikës italiane pati me Beppe Grillo-n, takim në të cilin, sipas mediave italiane, ky i fundit i ka kërkuar presidentit postin e kryeministrit për M5S në këmbim të mbështetjes së qeverisë së re.