Abdullah Oçalan, armëpushim pas 30 vitesh me Turqinë
Kreu i burgosur i rebelëve kurdë, Abdullah Oçalan, bëri thirrje historike për armëpushim me Turqinë. Oçalan në mesazhin e tij i cili u lexua gjatë festimeve të Vitit të Ri Kurd, në qytetin Dijarbakir, u bëri thirrje luftëtarëve të tërhiqen nga Turqia."Sot unë nis një proçes të ri, dëshmitarë të të cilit janë miliona njerëz. Sot nis periudha e të drejtave demokratike, lirisë dhe barazisë", ka thënë Oçalan në mesazhin e tij."Le të ulim armët. Gjakderdhja e turqve dhe kurdëve do të marrë fund. Ky është një proçes kur turqit dhe kurdët do të jetojnë në paqe. Ne do të lëvizim nga një betejë e armatosur në një betejë demokratike", ka vijuar ai.Mesazhi i Oçalan ishte njoftuar më herët nga disa politikanë që e kishin vizituar liderin kurd në fillim të javës në burgun në ishullin e Imralit.Thirrja për armëpushim mirëpritet nga qeveria turke e cila po ndjek për disa muaj bisedimet për paqen mes forcave të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, dhe shtetit turk."Gjuha e folur është ajo e paqes. Ne duhet të shohim implementimin,'' tha ministri i brendshëm turk Muamer Guler për agjencinë shtetërore të lajmeve Anadolu.Mbi 40 mijë persona janë vrarë në 30 vitet e fundit në luftimet për një shtet kurd në jug-lindje të Turqisë, ndërsa përpjekjet e mëparshme për armëpushim kanë dështuar.Në Shkurt, lideri i PKK-së bëri thirrje për lirimin e të burgosurve nga të dyja palët. Partia e tij liroi tetë ushtarë turq, të mbajtur në veri të Irakut për më shumë se dy vjet.Nga ana e saj, qeveria turke nuk e përjashton mundësinë që Oçalan të transferohet nga burgu në arrest shtëpie, thotë korrespondenti i BBC në Stamboll.