Mustafa e Jahjaga i premtojnë Nuland Specialen

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe presidentja Atifete Jahjaga, i kanë premtuar ndihmës sekretares amerikane të shtetit, Viktoria Njuland, themelimin e Gjykatës Speciale. Në nisjen e turit ballkanik, Njuland ka zbritur fillimisht në Prishtinë, ku është takuar krerët më të lartë të shtetit.Edhe pse nuk ka pasur konferenca për shtyp me asnjë nga liderët kosovarë, në komunikatat për mediat të lëshuara nga kryeministria dhe presidenca, thuhet se Kosova është zotuar të zbatojë të gjitha detyrimet ndërkombëtare, përfshi këtu edhe ngritjen e Gjykatës Speciale, që do të hetojë krimet e luftës që supozohet të jenë kryer nga ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në periudhën 1999 - 2000.Sipas njoftimit të kryeministrisë, zëvendësja e Xhon Kerrit, përgjegjëse për rrajonin e Europës dhe Azisë, ka vlerësuar Kosovën për përparimet që po arrihen në vend në kuadër të integrimit euroatlantik. Ndërsa Mustafa ka informuar Njulandin edhe për hapat konkret që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar.Ndërsa në njoftimin e presidencës, Jahjaga i ka bërë gjithashtu thirrje përfaqësueses amerikane se Kosova është e përkushtuar në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, ndërsa i ka kërkuar që këto marrëdhënie të jenë kusht për fqinjët në rrugën e tyre të integrimit, pasi ka vënë në dukje që Serbia vazhdon të mbështesë strukturat ilegale serbe në territorin e Kosovës.