Mediat e huaja për zgjedhjet: Provë për demokracinë dhe hapjen e negociatave
Në raportimin e parë për zgjedhjet në vend, “Associated Press”, thekson se vendoret 2015 janë një hap kyç për Shqipërinë për mundësinë e çeljes së negociatave për antarësimin në Bashkimin Europian.Agjencia prestigjoze vë theksin te përballja e Tiranës mes shumicës dhe opozitës, ku dy partitë kryesore kanë kandiduar personazhe të rëndësishëm, një Ministër dhe një deputet respektivisht.Sipas “Associated Press”, këto zgjedhje po monitorohen nga 200 vëzhgues dhe sipas ligjit rezultati zyrtar duhet të dalë jo më vonë se tri ditë pas ditës së votimit.Ndërsa për “Deutsche Welle”, zgjedhjet e 21 qershorit konsiderohen si një test për të vërtetuar dëshirën dhe mundësinë e vendit për të përqafuar vlerat demokratike, pasi deri më tani, që prej rënies së komunizmit në fillim të viteve '90, proçesi zgjedhor është shënuar gjithmonë nga skandalet.Agjencia gjermane konsideron se zgjedhjet janë test veçanërisht edhe për shumicën e majtë që qeveris prej dy vitesh, për të parë nëse ka pasur luhatje mbështetja masive që mori koalicioni PS-LSI në vitin 2013, ndërsa thekson se 44 monitorues të Bashkimit Europian janë në terren për të verifikuar ecurinë e proçesit.Në të njejtën linjë është edhe agjencia italiane “Ansa”, si dhe Agjencia franceze e Lajmeve “AFP”, e cila i konsideron zgjedhjet një provë për demokracinë e brishtë të Shqipërisë, pasi të gjitha proçeset e epokës post-komuniste janë baltosur nga akuza për mashtrime nga të gjitha palët.Ndërsa “Huffington Post”, thekson se përveç rezultateve të prekshme në sistemin e drejtësisë dhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Brukseli gjithashtu pret zgjedhje të lira dhe të ndershme.Të gjitha mediat vënë në dukje se pavarësisht antarësimit në NATO dhe statusit kandidat për në Bashkimin Europian, Shqipëria është një ndër vendet më të varfra në kontinent ndërsa 14,3% e popullsisë jetojnë nën nivelin e varfërisë.