ASHE mbyll fushatën në Gramsh, Haxhinasto e Gjiknuri mbështesin Luljeta Dollanin
Koalicioni Aleanca për Shqipërinë Evropiane e mbylli fushatën zgjedhore në Bashkinë e Gramshit ku kërkon votat për kandidaten Luljeta Dollani.Në mitingun e zhvilluar në sheshin kryesor të qytetit ishin të pranishëm Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe ai i Transporteve Edmond Haxhinasto.Ministrat deklaruan para qytetarëve të Gramshit se ky qytet do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes së qeverisë për rritjen e investimeve, punësimit dhe luftën ndaj varfërisë.“Qeveria shqiptare e shikon me vëmendje edhe rezultatin në Gramsh. Fitorja këtu do të jetë një garanci më shumë për të gjitha ato investime dhe premtime që kemi dhënë. Hidheni votën ku duhet, votoni Luljeta Dollanin, votoni për të ardhmen tuaj. Mos u merrni me konfliktet e Tiranës pasi gramshioti ka nevojë për dinjitet por jo një dinjitet siç e thonë ata. Ka nevojë për dinjitet real, investime e punësim dhe këtë e garantojmë me qeverinë e koalicionit të majtë dhe me Luljeta Dollanin në krye. I bëj edhe njëherë thirrje komunitetit gramshiot, votat për Luljetën, votoni për koalicionin e majtë dhe do ta shikoni vit për vit se jeta juaj do të përmirësohet”, u shpreh ministri Gjiknuri.Ministri Haxhinasto shprehu bindjen në suksesin e së majtës në zgjedhjet e së dielës. “Ju siguroj se pas 21 Qershorit, qeveria do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm Gramshin me qëllim që jeta e gjithësecilit prej jush të përmirësohet, të keni më shumë mirëqenie e të keni më shumë shpresë për fëmijët tuaj por edhe për vet ju padiskutim. Edhe njëherë fitore më 21 Qershor. Votën për Luljeta Dollanin dhe votën për Aleancën për Shqipërinë Evropiane”, theksoi Haxhinasto.Kandidatja Luljeta Dollani falënderoi qytetarët për mbështetjen e dhënë në javët e fushatës dhe premtoi se do të bëjë realitet të gjitha premtimet e dhëna.“Këtë proces unë nuk e shoh aspak si një privilegj. E di çfarë përgjegjësish dhe sfidash kam nesër por mbështetja juaj, mbështetja e çdo gramshioti nga Lenia në Kërpicë, nga Poroçani në Mazrek më bëjnë optimiste se sëbashku, me një komunikim të vazhdueshëm, ne do mund tia dalim. Ne do të shkojmë drejt drejtimit të duhur, ne do ta bëjmë Gramshin më të mirë për fëmijët tanë”, u shpreh Dollani./Oranews.tv/