Nicolas Maduro president i përkohshëm i Venezuelës
Zëvendës presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është betuar si president i përkohshëm i vendit, vetëm pak orë pas funeralit shtetëror të Hugo Chavez.Ceremonia kryesohej nga folësi i Asamblesë Kombëtare, Diosdado Cabello, në kryeqytetin Karakas. Chavez, i cili ndërroi jetë më 5 Mars, pas një beteje të gjatë me kancerin, e kishte emëruar Maduron si pasardhësin e tij të mundshëm.Por, koalicioni kryesor opozitar bojkotoi betimin e Maduros, duke thënë se ky veprim është antikushtetues. Kreu i opozitës, Henrique Capriles, e quajti veprim mashtrues. Në arsyetimin e tij ai tha se, bazuar te Kushtetuta, Diosdado Cabello duhet të ishte personi, që do të drejtonte përkohësisht vendin.Si president i përkohshëm, Maduro duhet të organizojë zgjedhjet brenda 30 ditëve.Maduro foli në Asamblenë Kombëtare duke mbajtur një kopje të Kushtetutës venezueliane në dorën e tij."Betohem në emër të besnikërisë absolute ndaj komandantit Hugo Chavez, se ne do t'i bindemi dhe do të mbrojmë këtë Kushtetutë Bolivariane, me dorën e hekurt të popullit të lirë" tha ai.Të Premten, venezuelianët i dhanë një lamtumirë emocionale Hugo Chavez-it. Maduro tha para vajtuesve se Chavez, i cili udhëhoqi vendin për 14 vite, mbetet "i pamposhtur, i pastër dhe i gjallë përgjithmonë".