Dhuna ndaj grave: Ta kthejmë zemërimin në veprim
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon përmes një deklarate me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas ka deklaruar se zemërimi për dhunën ndaj gruas do të kthehet në veprim.“Këtë vit në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ne e kthejmë zemërimin në veprim. Deklarojmë se do t'i ndjekim penalisht krimet ndaj grave dhe kurrë nuk do të lejojmë që gratë t'i nënshtrohen ndëshkimeve për abuzimet që kanë pësuar. E përsërisim zotimin tonë për ta luftuar këtë kërcënim të shëndetit global kudo që ai të fshihet; në shtëpi dhe biznese, në zona lufte dhe vende të qeta, dhe në mendjet e njerëzve, të cilët lejojnë vazhdimin e dhunës” thekson Ban Ki Moon.Gjithashtu sekretari i përgjtihshëm i OKB-së u ka bërë një premtim të veçantë grave në situata konflikti, që shumë shpesh dhuna seksualeu kthehet në mjet lufte që ka për synim të poshtërojë armikun duke i shkatërruar dinjitetin.“Atyre grave u themi: Kombet e Bashkuara janë me ju. Si Sekretar i Përgjithshëm, unë këmbëngul se mirëqenia e të gjitha viktimave të dhunës seksuale në konflikt duhet të jetë në qendër të veprimeve tona. Dhe unë i udhëzoj këshilltarët e mi të lartë që përgjigja jonë ndaj dhunës seksuale të jetë prioritet në të gjitha aktivitetet tona për krijimin, ruajtjen dhe ndërtimin e paqes. Sistemi i Kombeve të Bashkuara po çon përpara fushatën "Së bashku për t'i dhënë fund dhunës ndaj grave", e cila bazohet në parimin e thjeshtë por të fuqishëm që të gjitha gratë e vajzat kanë të drejtën themelore të njeriut për të jetuar pa dhunë” shton Ban Ki Moon.Ai ka shtuar se në Komisionin mbi Statusin e Gruas këtë javë në Nju Jork, po mbahet asambleja më e madhe e organizuar ndonjëherë nga OKB-ja për t'i dhënë fund dhunës ndaj grave ku do të kërkohet progres i mëtejshëm edhe pasi takimi të përfundojë.“Mirëpres qeveritë, grupet dhe individët e shumtë që kanë kontribuuar në këtë fushatë. I bëj thirrje të gjithëve që t'i bashkohen përpjekjes sonë. Mund të bëheni pjesë e shtysës sonë globale për t'i dhënë fund kësaj padrejtësie dhe për t'iu ofruar grave e vajzave sigurinë e lirinë që meritojnë, si duke dhënëfonde për një kauzë ashtu edhe duke ngritur zërin në protestë” përfundon deklarata e Ban Ki Moon.