Ahmadinejad parashikon rikthimin e Chavezit
Vdekja e presidentit të Venezuelës, Hugo Chavez, ka nxitur eulogji nga e gjithë bota, por disa nga to kanë qenë të çuditshme.Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinejad, ka parashikuar rikthimin e tij.Dhe, sikur rikthimi në tokë të mos ishte i mjaftueshëm, Ahmadinejad ka thënë se Chavez do të kthehet së bashku me disa njerëz të respektuar.“Nuk kam asnjë dyshim se Chavez do të kthehet së bashku me Jezu Krishtin dhe Mahdi-un, për të krijuar paqe dhe drejtësi në botë”, ka shkruar Ahmadinejad në ueb-faqen e tij personale.Mahdi është një figurë e nderuar në mesin e myslimanëve shiitë dhe shumë prej tyre besojnë se ai do të rikthehet për të shpëtuar njerëzimin.Ahmadinejad, i cili ka krijuar një miqësi të afërt publike me Chavezin, ka lavdëruar këtë të fundit “për shërbimin në Venezuelë dhe për mbrojtjen e vlerave njerëzore dhe revolucionare”.Irani ka shpallur një ditë zie kombëtare për vdekjen e Chavezit, ndërsa mediat në Teheran kanë thënë se ekziston mundësia që Ahmadinejadi të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të tij, më 8 Mars.Ahmadinejad ka mbështetur po ashtu deklaratat e Zv.presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, i cili pak para vdekjes së Chavezit ka thënë se “nuk ka asnjë dyshim” që armiqtë e vendit i kanë dhënë kancerin liderit majtist.Në mesazhin e tij ngushëllues, Ahmadinejad ka thënë se Chavez ka qenë “martir”, i cili ka rënë pre e një “sëmundjeje të dyshimtë”.Chavez, i cili ka udhëhequr Venezuelën për 14 vjet, ka qenë një figurë kontroverse edhe në vendin e tij, edhe në skenën ndërkombëtare. Disa e kanë parë si hero për shkak të programeve të tij socialiste, të projektuara për të ndihmuar të varfrit, si dhe kritikave të forta për Shtetet e Bashkuara.Në Iran, Chavezi ka gëzuar popullaritet të madh. Ahmadinejad ka admiruar kundërshtimin e tij të hapur ndaj Shteteve të Bashkuara. Marrëdhëniet e tij me udhëheqësin e Venezuelës janë karakterizuar me përqafime të ngrohta, shaka dhe lëvdata. Në disa raste, Ahmadinejad i është referuar Chavezit si vëlla i tij.Teherani dhe Karakasi kanë firmosur marrëveshje miliarda dollarëshe për tregti dhe investime në vitet e kaluara. Chavez ka bërë 13 vizita në Iran gjatë kohës sa ka qenë president, ndërsa Ahmadinejad ka vizituar gjashtë herë Venezuelën që në vitin 2005.“Hugo Chavez është një emër i njohur për të gjitha kombet. Emri i tij është rikujtim për pastërtinë, mirësinë, trimërinë… është përkushtim dhe përpjekje e palodhshme në shërbim të popullit, sidomos të të varfërve dhe atyre që i tremben kolonializmit dhe imperializmit”, ka shkruar Ahmadinejad në faqen e tij të internetit.