“Rruga e Arbrit”, kinezët marrin projektin me procedurë speciale
Rruga e Arbrit do të ndërtohet nga kompania kineze. Komisioni i Ekonomisë i ka dhënë "ok" kërkesës së qeverisë për dhënien me konçesion në mënyrë të veçantë. Ndërkohë që Komisioni i është drejtuar me një projektrezolutë edhe Autoritetit të Konkurencës, duke i kërkuar që të rrisë kontrollet në tregjet që janë më problematike si në atë të gazit, karburanteve si dhe energjisë.Tiranë- Kuvendi i ka dhënë të drejtë qeverisë që të japë me konçesion Rrugën e Arbrit, duke ndjekur një proçedurë të përshpejtuar.Deputetët e maxhorancës kanë miratuar propozimin e ardhur në këtë Komision, duke i dhënë të drejtë kompanisë kineze "China State Construction" për ndërtimin e 26.94 kilometrave në Rrugën e Arbërit.Braçe: “ Ky ligj përcakton procedurë të veçantë për negociimin dhe lodhjen e kontratës koncesionare partneritet publik-privat ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërisë kineze për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Rrugës së Arbrit si përjashtim nga procedurat e përcaktuara në ligjin numër 125/2013 për koncesionet e partneritetit publik-privat”.Gjithashtu Komisioni i Ekonomisë i është drejtuar Autoritetit të Konkurencës më një projektrezolutë, ku i kërkon që të rrisë monitorimet në tregjet që shfaqen më problematikë.Ervin Koçi: “ Tregu i importit dhe shitjes me shumicë të gazit, tregu i sigurimeve, tregu i karburanteve, tregu i energjisë, tregu i shërbimit të transportit ajror, tregu i transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve dhe automjeteve, për të ndjekur sjelljen e firmave në treg. Ndjekja në vazhdimësi është e rëndësishme”.Deputeti demokrat nga ana tjetër kërkoi që në këtë rezolutë të ketë objektiva më konkrete.Sherefedin Shehu: “Të kemi tregues dhe indikatorë konkret mbi bazën e të cilëve të vlerësojmë punën e institucioneve”.Komisioni i Ekonomisë ka miratuar edhe marrëveshjen për njohjen e sigurimeve shoqërore me Dukatin e Luksemburgut, ndërkohë që është mësuar se së shpejti marrëveshje të tilla do të nënshkruhen edhe me Gjermaninë dhe Austrinë.