Testimi i mësuesve, Avokati i Popullit: I paligjshëm
Institucioni i Avokatit të Popullit ka dalë kundër Ministrisë së Arsimit për testimin e mësuesve. Komisionerët e këtij institucioni thanë se mësuesit ndihen në presion. Ndërsa ish-Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, tha se testimi mund të kthehet si "armë" për çdo parti për të larguar dhe punësuar arsimtar.Tiranë-Avokati i Popullit kundërshton testimin e mësuesve, duke thënë se është i paligjshëm.Në Komisionin e Edukimit, komisionerët e Avokatit të Popullit, Ermir Kapedani dhe Lindita Xhillari thanë se mësuesit po ndihen në presion të plotë.Kapedani: “ Është një testim që për ne nuk është i bazuar në ligj dhe kjo mund të komentohet dhe parë si e tillë, si antiligjore”.Xhillari: “ Mësuesit që kur është lançuar ky lloj testimi ndjehen nën presion pasi mendojnë se do të humbasin vendin e punës”.Ish-Ministri i Arsimit, deputeti i PD Myqerem Tafaj se testimi i kthyer në ligj mund të shndërrohet në një rast precedent që çdo qeveri të bëjë testimin për arsimtarët për të larguar disa dhe për të punësuar disa të tjerë.Tafaj: “ Një precedent që qeveritë në Shqipëri të organizojnë testime sa herë që të duan dhe nëse është kështu a ka më një punoënjës që punon në arsim, në shëndetësi, garanci për vendin e punës?”Ndërsa deputeti, Alfred Peza, tha se gjendja e arsimit sipas të dhënave është shqetësuese.Peza: “ Në Shqipëri një numër shumë i madh, mbi 4000 mësuesish të sistemit arsimor parauniversitar janë pa arsimin përkatës dhe jashtë profilit. Sipas raporteve të organizatave prestigjoze ndërkombëtare të specializuara për këtë çështje, rreth 60% e nxënësve që dalin nga arsimi parauniversitar në Shqipëri janë analfabetë funksionalë”.Por edhe socialistët lanë të kuptohet se ligji duhet të rishihet kur bëhet fjalë për testimin.Hafizi: “ Ndoshta duhet propozuar ndryshimi i kuadrit ligjor në ato pika, për të cilat duhet tentuar që të përputhet legjislacacioni me realitetin”.Pavarësisht deklaratave të Ministrisë së Arsimit që nga janari i këtij vit, arsimtarët nuk kanë një datë fikse se kur do t’i nënshtohen testimit dhe nëse ky provim do të jetë përcaktuar për tu larguar nga puna apo jo.