Gjermania rikthen tanket, NATO monitoron hapsirën ajrore të aleancës
Gjermania po planifikon të rikthejë në gjendje gadishmërie 100 tanke luftarakë "Leopard", një lëvizje kjo që shihet si kundërpërgjigje e tensioneve me Rusinë për shkak të konfliktit në Ukrainë.Zëdhënësi i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, Jens Flosdorf, konfirmoi për "Der Spiegel" se qeveria ka aprovuar një fond prej 22 milionë eurosh për të çuar në 328 numrin e tankeve të shpejtë luftarakë, pasi një pjesë e mirë e modeleve "Leopard" ishin shitur në përfundim të luftës së Ftohtë për të ulur shpenzimet në buxhetin e shtetit.Kriza e Ukrainës dhe rreziku rus ka bërë qeverinë gjermane të rishikojë vendimin e marrë katër vjet më parë për uljen e mëtejshme të numrit të tankeve luftarakë, duke përmbushur kështu marrëveshjen e arritur mes aleatëve të NATO-s në shkurt për të reaguar ndaj sfidave nga lindja, qoftë Rusia, qoftë ekstremistët islamikë.Për të siguruar aleatët në kufi me Rusinë dhe Lindjen e Mesme, NATO ka nisur edhe misionin vëzhgues në shtete si Polonia, Lituania, Estonia, Letonia, Turqia dhe Rumania.Avioni Boeing 707 është i pajisur me radarë të teknologjisë së fundit dhe disa dhjetra njësi punë ku specialistët e aleancës analizojnë të dhënat për të pasur një ide më të qartë të asaj që ndodh në hapsirën ajrore të këtyre vendeve.Sipas zëdhënësit të operacionit, Johanes Glovka, tha se ky mision është ndërmarrë për të bërë vendet aleate të ndihen më të sigurt për atë që ndodh në hapsirën e tyre ajrore.Hapsira ajrore e Balltikut është monitoruar veçanërisht edhe nga avionët luftarakë amerikanë, ndërsa trupat e Shteteve të Bashkuara kanë zhvilluar edhe stërvitje tokësore në këto vende, si kundërpërgjigje e ushtrimeve ushtarake ruse, në atë që duket të jetë një paralajmërim në distancë mes Rusisë dhe perëndimit, edhe pse liderët politikë i janë përpjekur të shmangin deklaratat kërcënuese./Oranews.tv/