Kryeministri Rama fton investitorët italianë në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama ka nisur një vizitë dy ditore në Itali mirëpritur në rajonin e Abruzzo-s nga Kryetari i Bashkisë dhe më pas zhvilloi takime me sipërmarrës të këtij rajoni. Gjatë takimit me sipërmarrësit italianë u diskutua për potencialet e Shqipërisë dhe kushtet e favorshme fiskale që ajo ofron. Në fjalën e tij kryeministri Rama theksoi faktin se vitet e fundit interesi i biznesit italian për Shqipërinë është rritur dhe se pasi Qeveria shqiptare , ka iniciuar një proces të gjerë reformash strukturore dhe fiskale, që kanë krijuar një klimë pozitive dhe të favorshme për investime.Edi Rama: "Ne kemi ndërmarrë një proces reformash strukturore dhe ekonomike, që është edhe angazhimin kryesor të qeverisë sonë. Sigurisht, me objektivin prioritar për të integruar vendin tonë në Bashkimin Europian, pa asnjë dyshim ne kemi me objektivin strategjik të rigjallërojmë ekonominë e vendit dhe të riforcojmë aspektin social të saj. Për këtë, ne kemi marrë disa masa të rëndësishme legjislative. Momentalisht, jemi duke diskutuar në parlament ligjin e ri për investimet e strategjike, ligjin e ri për turizmin, një ligj të ri për partneritetin publik privat, të cilit duam t'i japim një theks më të fortë. Po ashtu kemi përcaktuar edhe disa zona të lira ekonomike, si dhe një numër privatizimesh të rëndësishme. Nga ana tjetër, politika jonë fiskale është ngushtësisht e lidhur me objektivin për të tërhequr investitorët e huaj dhe për të inkurajuar sipërmarrësit tanë.Kryeministri Rama gjatë këtij bashkëbisedimi ftoi sipërmarrësit e këtij rajoni të vizitojnë Shqipërinë dhe të shohin nga afër mundësitë për investime në energjinë e rinovueshme, në manifakturë, bujqësi, turizëm, sektorin minerar etj, të cilat janë fusha me potenciale të larta zhvillimi në vendin tonë. Më pas Rama, zhvilloi takime me autoritetet më të larta të këtij rajonit, gjatë të cilit u shkëmbyen ide për të thelluar bashkëpunimin nga energjia deri tëk bujqësia.Edi Rama: "Ne jemi pjesë edhe e projektit madhor energjetik, gazsjellësit TransAdriatik, që është një projekt strategjik për ne, për Italinë dhe padyshim, edhe për më gjerë. Besojmë shumë tek ky projekt, i cili po bëhet edhe më i qartë në kontekstin e ri gjeopolitik, sidomos pas vendimit të Rusisë për të anuluar gazsjellësin SouthStream. TAP është një projekt plotësisht në përputhje me direktivat e Komunitetit Europian të Energjisë dhe BE-së. Ne e mbështesim fuqimisht si një projekt për paqen dhe sigurinë".Kreu i qeverisë shqiptare bëri të ditur se së shpejti do të organizohet edhe Samiti i parë ndërqeveritar, me synim forcimin e partneritetit mbi një plan strategjik.