SHBA, Hagel emërohet Sekretar i Mbrojtjes

Senati amerikan konfirmoi Chuck Hagel si sekretar të ardhshëm të mbrojtjes. Senati e miratoi emërimin  me 58 pro dhe  41 kundër.Veprimi erdhi disa orë pasi Senati votoi për t'i dhënë fund debatit mbi emërimin, duke hapur rrugën për konfirmimin në Senatin e kontrolluar nga demokratët.Hagel, një republikan i cili ka shërbyer si senator, u përball me kritika nga ish-kolegët e tij.Republikanët në Senat  e shtynë një votim të plotë gati dy javë më parë, duke ngritur shqetësime në lidhje me pikëpamjet e tij mbi Lindjen e Mesme dhe madhësinë e arsenalit bërthamor amerikan.Republikanët e kritikuan  Hagel si tepër të butë ndaj Iranit dhe shumë kritik ndaj Izraelit, dhe sepse në vitin 2007 kishte kundërshtuar shtimin e trupave amerikane në Irak. Pavarësisht kritikave, republikanët në Senat thanë të hënën se do të tërhiqeshin nga bllokimi i procesit të emërimit.Presidenti Barak Obama e vlerësoi konfirmim, duke thënë se  Shtetet e Bashkuara do të kenë sekretarin e mbrojtjes që vendi ka nevojë dhe udhëheqësin që trupat meritojnë.Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë e quajti  Hagel  ushtarin e dekoruar të ish këmbësorisë - një patriot amerikan.