Zyrat e reja të ISSH, Rama: Jo më strofkulla të errëta për pensionistët
Kryeministri Rama përuroi sot zyrat e reja të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ndërsa vlerësoi reformën e pensioneve si një ndër më të rëndësishmet e qeverisjes së tij, Rama tha se shërbimi ndaj pensionistëve nuk do të bëhet më në strofkulla të errëta.“Ky është vetëm hapi i parë i rëndësishëm sepse në këtë mjedis shërbehen rreth 100 mijë pensionistë gjatë vitit. Zyrat e pensionit duhet të jenë jo strofulla të errëta lëmoshash, që ngrihen mes pisllëkut, rrëmujës, mërzisë, por mjedise të pastra, ku reflektohet mirësi, edukatë dhe vetëdije për shërbimin publik”.Sipas Ramës, falë heqjes së tavanit të pensionit, janë vetë qytetarët ata që e përcaktojnë masën e pensionit të tyre.“Të gjitha llogaritë na bëjnë krenarë për një reformë të vonuar 20 vjet, që qeveritë e shtynë për të mos u marrë me ujërat e ndenjura apo për të vegjetuar në ujërat e ndenjura, me shpresën se do të jetonin më gjatë në pushtet”.Ndërkohë, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj vlerësoi se reforma e pensioneve ka dhënë efektet e veta, pasi është numri atyre që paguajnë sigurimet shoqërore është rritur me mbi 93 mijë vetë, ndërsa shtoi se tashmë falë skemës së re, profesionet e punës si ushtarakët apo arsimtarët, do mund të marrin për herë të parë pensione deri në 340 mijë lekë.“Ky ka qënë një vit jashtëzakonshëm për reformën e pensioneve. Një vit ku, jo vetëm kemi patur një rritje të konsiderueshme të kontribuesve në skemë me 93.392 vetë, pra afro 20 për qind më shumë, por shumica e tyre janë njerëz që kanë filluar punën dhe janë formalizuar, çka do t’u shpërblehet me një pension të lartë.Ne kemi patur një detyrim ndaj ushtarakëve dhe më vjen mirë që ata që i kanë shërbyer vendit me vetëmohim si ushtarakët, mjekët, mesuesit, për herë të parë vitet e tyre po shpërblehen realisht. Për herë të parë, sot kemi pensione deri në 340 mijë lekë, rreth 100 mijë lekë më shumë sesa pensioni tavan që kishim deri në vitin e kaluar”.