Elbasan, qytetarët të paqartë për kartat e shëndetit

Ndonëse ka filluar shpërndarja e kartave të shëndetit, në Elbasan qytetarët janë të paqartë për dokumentat që do të dorëzojnë. Kjo ka shkaktuar edhe kaos në sportelet e drejtorisë rajonale të sigurimit të kujdesit shëndetësor.Elbasan-Prej pak ditësh ka filluar shpërndarja e kartave të shëndetit në sportelet e drejtorisë rajonale të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor në Elbasan si dhe në agjencitë vartëse në rrethe por qytetarët nuk kanë asnjë informacion për dokumentacionin që duhet të plotësojnë. Ka raste kur edhe të moshuarve u është dashur të vijnë për disa ditë me radhë për të marrë kartën e shëndetit.Duke qenë proces në ditët e para, drejtoria rajonale e Sigurimit të Kujdesisht Shëndetësor nuk ka ende shifra se sa janë shpërndarë në total por konfirmon problemet e hasura në regjistrin elektronik që është edhe baza për prodhimin e kartave të shëndetit.Përgjegjësja e shërbimit parësor pranë këtij institucioni Klodjana Shehu shprehet se procesi po vijon normalisht pavarësisht disa problemeve që zgjidhen rast pas rasti.Karta e shëndetit zëvendëson librin e zakonshëm të shëndetit dhe ka bazën e të dhënave që çdo mjek i familjes ka hedhur për qytetarin në kartelën e tij mjekësore. Të dhënat elektronike do ta bëjnë më të lehtë shërbimin shëndetësor ndaj qytetarit.