Përmbytjet, Rama falenderon sipërmarrësit për solidaritetin
Tirane- Tani që kaloi më e vështira, kryeministri Edi Rama i mblodhi sërish sipërmarrësit shqiptarë dhe jo vetëm, këtë herë për ti falenderuar për solidaritetin e tyre në ndihmë të banorëve të dëmtuar nga vërshimi i ujit.Edi Rama: "Një mirënjohje të ndjerë, sepse realisht, ajo çka të gjithë ju bëtë ishte e jashtëzakonshme, në radhë të parë si shprehje gatishmërie dhe solidaritet, pa asnjë detyrim, pa asnjë urdhër, pa asnjë shtysë tjetër, përveçse një shtyse të brendshme përgjegjësie sociale, që i bën nder pa asnjë dyshim të gjithëve ju dhe i bën nder vetë sipërmarrjes shqiptare, përmes jush”.Për shefin e qeverisë, gadishmëria dhe solidariteti i treguar nga sipermarrësit që kontribuan me ndihma në kapërcimin e situatës së shkaktuar nga përmbytjet e disa javëve më parë, janë rezultat i marrëdhënie të re të vendosur tashmë mes qeverisë dhe biznesit.Edi Rama: "Kjo shprehje e menjëhershme gatishmërie dhe nga ana tjetër edhe një bujari që me thënë të drejtën i kaloi përmasat e formales, ishin dhe rezultat i një marrëdhënie të re, të vendosur mes sipërmarrjes dhe qeverisë"Një marrëdhënie për të cilën ne kemi investuar fortë dhe vazhdojmë të investojmë fortë, që të jetë një marrëdhënie respekti, të jetë një marrëdhënie dinjiteti reciprok dhe të jetë një marrëdhënie, ku sipërmarrja të mos ndihet më, e shkelur jo e jo, por as nën urdhrat apo hijen e qeverisë, por të ndihet e barabartë sepse të barabarta janë dhe të drejtat kushtetuese që ka secili".Sipërmarrësit shqiptarë por edhe nga Kosova e Maqedonia dhanë ndihmën e tyre për banorët e zonave të përmbytura në jug, qoftë në vlerë monetare, qoftë në ndihma ushqimore.
/Oranews.tv/