Përmbytjet, Brukseli gati të ndihmojë. Rama duhet të japë të dhëna të sakta
Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johanes Hahn, pranon se Bashkimi Europian është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë pas përmbytjeve të ndodhura në jug të vendit. Megjithatë Hahn u kërkoi autoriteteve shqiptare që të bënin një pasqyrim të saktë të dëmeve dhe pasojave që kanë shkaktuar."Kam qenë në kontakt me ministrin e Jashtëm javën e kaluar dhe si gjithmonë, kur ka ndonjë fatkeqësi natyrore, mbështetja europiane është e mundshme.Por është absolutisht e nevojshme që të kemi të dhëna të sakta për sa i përket dëmeve, kostot e këtyre dëmeve.Nëse këto të dhëna janë më të qarta, dhe kemi një ide më të mirë dhe më të saktë të situatës, me siguri që do të organizojmë diçka, sepse jemi plotësisht të vetëdijshëm për pasojat e këtyre fatkeqësive natyrore".- ka deklaruar Hahn.Komisioneri Europian deklaroi se do të vizitojë së shpejti Shqipërinë, duke e konsideruar një prej partnerëve kryesorë në Ballkan./Oranews.tv/