Krimet pa autor, Tahiri largon Nexhin, Paganika shef policie në Shkodër
Largohet nga detyra Drejtori i Policisë së Shkodrës, Shaban Nexhi, dhe në vend të tij emërohet Lorenc Paganika.Mësohet se ka qenë Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, që ka firmosur largimin nga detyra të Nexhit, duke e zëvendësuar atë me ish zv/Drejtorin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe të Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë Panganika.Edhe pse vendimi është marrë që prej ditës së premte, ai është zyrtarizuar vetëm këtë të shtunë, ku pa praninë e mediave dhe në prezencën e drejtuesve të uniformave blu të të gjithë sektorëve në Shkodër, u prezantua kreu i ri Lorenc Paganika.Prezantimi i tij u bë nga Drejtori i Përgjithshëm, Artan Didi, i cili mësohet se ka kërkuar rritje të performancës së uniformave blu të Shkodrës, lidhur edhe nga ngjarjet e fundit të shënuara në këtë qark.Ish-drejtori Nexhi do të transferohet në Tiranë pranë Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ai u emërua në krye të policisë së Shkodrës në Tetor të 2013- ës, por që prej asaj dite e deri më sot në qark kriminaliteti njohu vetëm rritje.Mjafton për tu permendur se vetëm gjatë vitit që lamë pas në qarkun e Shkodrës janë shënuar 14 vrasje me 15 viktima nga të cilat 5 rezultojnë pa autor, 4 me autor të identifikuar por akoma te paarrestuar dhe vetem në 5 vrasje policia ka arritur të vërë në pranga autorë.Edhe ky vit nuk nisi me këmbë të mbarë, pasi në qarkun e Shkodrës janë rritur grabitjet jo vetëm në banesa, por edhe në biznese dhe në kazino, të gjitha këto pa asnje autor të dyshuar apo arrestuar.Nderkohe Drejtori i ri i policisë së Shkodrës, Lorenc Panganika, i lindur në Korçë me 24.06.1972, ka qenë më herët edhe Drejtor policie në qarkun e Beratit.