Dështojnë bisedimet, ukrahinasit dhe rebelët fajësojnë njëri-tjetrin

Pas më shumë se katër orësh, bisedimet mes qeverisë ukrainase dhe forcave separatiste pro-ruse kanë dështuar. Përfaqësuesi i Ukrainës, ish-presidenti i vendit, Leonid Kuçma, tha se përfaqësia e rebelëve nuk donte të diskutonte mundësinë e armëpushimit, por vetëm vendoste ultimatum.Përfaqësuesi i Republikës Populore të vetëshpallur të Donjeckut, Denis Pushilin, duke u larguar nga aeroporti i Minskut pas bisedimeve tha se nuk mund t'i quante ato pozitive. Takimi, në të cilin morën pjesë edhe një përfaqësues i Rusisë dhe një i OSBE-së, u zhvillua në kryeqytetin bjellorus, ndërkohë që në terren vazhdonin luftimet, që kanë marrë më tepër jetë civilësh se ushtarakësh.Dështimi i takimit ka zhgënjyer edhe Fuqitë e Mëdha, pasi pak orë para tij, përmes një telefonate në grup, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez, Fransua Holond, dhe ai rus, Vladimir Putin, kishin shprehur dëshirën e mirë për arritjen e një zgjidhjeje.Deri tani nga konflikti në Ukrainë kanë humbur jetën mbi 5000 vetë, ndërsa marrëdhëniet mes Rusisë dhe perëndimit kanë arritur në pikën më të ulët që prej shembjes së murit të Berlinit dhe fundit të Luftës së Ftohtë. Qytetet lindore, si Donjecku dhe Luhansku, të cilët janë nën kontrollin e separatistëve vuajnë prej muajsh nga mungesa e ujit dhe energjisë elektrike.Ukraina ka përforcuar edhe vijën kufitare prej 450 kilometrash që ndan me Moldavinë, për shkak të rrezikut të sulmit nga krahina e Transdinestria, e cila kërkon pavarësinë dhe bashkimin me Federatën Ruse. Krahina separatiste vendosi të shkëputej nga Moldavia që në vitin 1990, por qeveria e krijuar atje njihet vetëm nga Rusia, e cila mban të stacionuar prej vitesh 1500 trupa.