Shefi i NATO-s: Vit i errët për sigurinë, vlerëson situatën në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i kujtoi vendeve të aleancës se niveli i rrezikut është rritur dhe se duhet të shpenzojnë më shumë për sigurinë.Në prezantimin e raportit vjetor të Aleancës së Atlantikut Verior, Stoltenberg kujtoi sulmet e Parisit dhe 400 fluturimet e palejuara ushtarake ruse, si arsyet e rritjes së nivelit të gatishmërisë."Viti 2014 nuk ishte një vit i mirë për sigurinë europiane. Në fakt ishte një vit i zi! Në jug, ekstremizmi i dhunshëm është pranë kufijve tanë, duke krijuar trazira në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, si dhe duke ushqyer terrorizmin në qytetet tona. Në lindje, Rusia po ndjek një rrugë shqetësuese, pasi përdori forcë ushtarake për të aneksuar Krimenë, destabilizuar Ukrainën lindore dhe frikësuar fqinjët e saj, duke shkelur ligjet ndërkombëtare".Gjatë prezantimit të raportit, Stoltenberg foli edhe për Kosovën, ku NATO ka momentalisht 5000 trupa si pjesë e KFOR-it. Ai vlerësoi veçanërisht Forcën e Sigurisë së Kosovës, të cilën e vizitoi vetëm para një jave."Zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në Kosovë vitin e kaluar, treguan përmirësimin e forcave të sigurisë të Kosovës, duke shmangur dhunën që kishte karakterizuar dhe penguar zgjedhjet e mëparshme".Pasi vlerësoi përfundimin e misionit në Afganistan, shefi i NATO-s bëri të ditur se Ministrat e Mbrojtjes së vendeve të Aleancës do të mblidhen javën e ardhshme për të vendosur mbi numrin e trupave që do të pozicionohen në kuftijtë lindorë të saj, një tregues i rritjes së gatishmërisë përballë rrezikut rus, por edhe ekstremizmit islamik.