Holokausti, historianët: Kontributi shqiptar të përfshihet në kurrikulat mësimore
Në ditën ndërkombëtare që përkujton Holokaustin, historianët ngrejnë shqetësimin se në tekstet e historisë është shkruar shumë pak për historitë e familjeve shqiptare dhe se roli i tyre në ndihmën që u kanë dhëne hebrenjve duhet të futet në kurrikulat mësimore.“Nuk është shkruar shumë, janë shkruar shumë ose një pjesë monografish nga historianët shqiptarë por nuk janë shumë prezente në tekste mësimore.Dhe mesa di ne të gjithë historianët jemi të gatshëm dhe po ushtrojmë presion që në kurrikulën e historisë dhe në tekstet e historisë kjo çështje të jetë më prezente, sepse është një çështje që i takon realisht historisë së popullit tonë, na bën krenar dhe të rinjtë tanë duhet të njohin historinë e kombit shqiptar”.Gjatë ceremonisë përkujtimore, në fjalën e tij Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, theksoi se antisemtizmi është aktual edhe sot dhe përbën kërcënim për botën demokratike.“Përballja me ekstremizmin nuk mund të kufizohet vetëm në fushëbetejë. Fitorja ndaj ekstremizmit varet gjithaq nga mirëqenia dhe perspektiva e përbashkët që ndërtojmë.Mos të harrojmë se Holokausti ishte mishërimi i antisemitizmit që kishte kapluar atëbotë Evropën. Tashmë është e qartë se antisemitizmi, ekstremizmi islamik dhe terrorizmi, pa rrjedhur nga i njëjti burim, kanalizohen nga urrejtja dhe frustracioni për të konverguar në bllok si një kërcënim i vetëm dhe homogjen kundrejt të gjitha shoqërive demokratike”.Gjatë ceremonisë përkujtimore, në ambientet e Muzeut Kombëtar u organizua një ekspozitë fotografike me protagonistët e shpëtimit të familjeve hebre gjatë Holokaustit.Në vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që shpallte 27 janarin, si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave të Holokaustit.