Sulmi në Charlie Hedbo, Nishani e Meta ngushëllime në Ambasadën franceze
Tirane- Presidenti shqiptar Bujar Nishani por edhe kreu i Kuvendit Ilir Meta shprehën sot ngushëllime në Ambasadën e Republikës së Francës në Tiranë për ngjarjen tragjike të ndodhur në Paris.Nishani tha se Shqipëria është krah Parisit dhe Aleancës së Vlerave.Bujar Nishani: "Franca tregoi që liria e mposht frikën dhe frika nuk ka shance të dominojë mbi lirinë. Marshimi i djeshëm i paqes në Francë tregoi edhe një herë se pavarësisht rreziqeve të rënda që ka liria e paqja kohezioni i demokracisë funksionon në planetin tonë.Në emër të të gjithë shqiptarëve garantoj se shqiptarët do të jenë gjithmonë në krah të Francës dhe Aleancës së vlerave."Ilir Meta: “Dëshiroj të shpreh edhe njëherë tjetër këtu në Ambasadën e Republikës franceze besimin më të plotë se Franca e lirisë, Franca e të drejtave të njeriut, Franca e shpresës, do të triumfojë dhe mendoj se marshimi i djeshëm në Paris ishte tregues i qartë i këtij triumfi kundër terrorizmit, frikës dhe pasigurisë që ai kërkon të mbjellë dhe të shpërndajë në Europë. Ky triumf mendoj se i ka rrënjët jo vetëm në historinë dhe traditën e shkëlqyer dhe mjaft frymëzuese të popullit francez, por njëkohësisht edhe tek ai solidaritet i jashtëzakonshëm ndërkombëtar që u shfaq dje në Paris dhe ku Shqipëria ndodhet gjithmonë në vijën e parë. Jo vetëm të këtij solidariteti, por edhe të luftës kundër terrorizmit, një rrezik për të gjithë njerëzimin, i cili jam i bindur që do të mposhtet duke forcuar bashkëpunimin dhe solidaritetin në mënyrë të jashtëzakonshme”