Papa s'harron Shqipërinë në fjalimin e përvitshëm para ambasadorëve në Vatikan
Mbresat që i ka lënë bashkëjetesa dhe harmonia mes feve në vendin tonë, në vizitën vetëm një ditore në Tiranë, ka qënë shembulli që sipas Papa Francesku duhet të ndjekë çdo vend në botë.Në fjalimin e tij të përvitshëm në prani të dhjetra ambasadorëve të akredituar në Vatikan, Ati i Shenjtë u ndal për disa minuta edhe tek emocionet që morri gjatë vizitës së tij në Tiranë, një vend i cili ka vuajtur shumë nga diktatura por që gjithsesi shqiptarët janë një popull i gëzuar."Nje kulture bashkëjetese fetare, e kam provuar gjatë vizitës time në Shqipëri. Është një komb plot me të rinj, që janë shpresa për të ardhmen. Pavarësisht plageve dhe vuajtjeve, në historinë e saj, vendi karakterizohet nga bashkëjetesa paqësore mes besimtarëve të feve të ndryshme, në një klime respekti dhe besimi të ndërsjelltë, mes katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve".Në muajin shtator kur vizitoi Tiranën, në një ditë që do të mbetet gjatë në memorien e mijëra qytetarëve që dolën për ta pritur, Ati i Shenjtë, tha se ishin pikërisht harmonia fetare dhe vuajtjet e diktaturës, arsyet përse ai zgjodhi të parën Shqipërinë në mesin e të gjithë shteteve të Europës. Nën shembullin e Shqipërisë, Papa Francesku tha se dialogu dhe takimet mund të sjellin një harmoni të tillë fetare, që është për tu lavdëruar. Gjatë fjalës së tij, kreu i Vatikanit tha se për të, angazhimi kryesor për këtë vit do të jetë paqja, e cila duhet të udhëheqë fatet e popujve dhe njerëzimit.Edhe një ditë më parë, Shqipëria e përcolli më së miri harmoninë fetare në Paris, teksa përfaqësuesit e 4 besimeve të ndryshme fetare, krah për krahu, përcollën në kryeqytetin francez e në sytë e mbarë botës, mesazhe të qarta e të forta, të asaj cka Shqipëria, ky vend i vogël, realizon përmes një bashkëjetese fetare që është për tu admiruar.