80 vjetori i lindjes së legjendës së muzikës, Elvis Presley
"Mbreti" Elvis Presli do të kishte mbushur të enjten 80 vjeç po të kishte qenë gjallë. Me hitet e tij "Jailhouse Rock," "That's All Right," "Aloha, Hawaii," "Viva Las Vegas" dhe "Suspicious MInds," Presli, i cili u nda nga jeta në vitin 1977 kur ishte vetëm 42 vjeç, frymëzoi breza të tërë adhuruesish.Edhe në këtë përvjetor fansat e tij nuk munguan në takimin e përvitshëm në shtëpinë e tij të famshme në Memfis të Tenesisë.Elvis Aron Presli lindi në 8 janar 1935 në Tupelo, Misisipi. Në vitin 1953, kur ishte 18 vjeç, regjistroi këngën e parë në Tenesi në shtëpinë diskografike "Sun Records".Tre vjet më vonë u publikua edhe hiti i tij i parë "That's All Right," dhe u "rekrutua" menjëherë nga shtëpia diskografike "RCA", me të cilën publikoi edhe hitet e para si "Hound Dog" dhe "Love Me Tender."Më pas, daljet në disa spektakle të famshme televizive të kohës i dhanë atij famë botërore dhe kur në vitin 1958 u nis me ushtrinë amerikanë për në Berlin, popullariteti i tij kishte arritur kulmin, si këngëtar dhe si një yll Hollivudi pasi kishte luajtur në disa filma të kohës.Në Gjermani ai u njoh edhe më gruan e ardhshme, 14-vjeçaren Prishila, me të cilën u martua në vitin 1967. Por gjashtë vjet më vonë, u divorcuan pasi kishin edhe një vajzë bashkë, Liza Mari Preslin, e lindur në vitin 1968.Në atë periudhë ai ishte bërë i varur nga ilaçet qetësuese. Përdorimi i tepërt i tyre dhe stili ekstravagant i jetesës bënë që jeta dhe karriera e tij brilante të mbylleshin më 16 gusht 1977, kur ishte vetëm 42 vjeç.Edhe pse nuk jeton më prej disa dekadash, Presli vazhdon të jetë një prej personazheve të famshëm me më shumë fitime, duke u renditur i dyti për vitin 2014 nga revista Forbes, me 55 milionë dollarë të fituar nga të drejtat e këngëve, filmave dhe spektakleve televizive ku ka marrë pjesë, si dhe nga shitjet e biletave vizitorëve të shtëpisë së tij në Memfis, ku edhe është varrosur.Personazhi i vdekur që fitoi më shumë para në vitin e kaluar ishte Majkëll Xhekson, i cili ishte edhe bashkëshorti i vajzës së Prislit, nga viti 1994 në vitin 1996.Për të nderuar ditëlindjen e Prislit, nga e enjtja kanë nisur një sërë eventesh përkujtimore, ndër to edhe një ankand ku do të shiten disa sende personale të tij, përfshi patentën e tij të parë dhe një xhaketë të veshur prej "Mbretit" në filmin "Viva Las Vegas" në vitin 1964.