Oferta e Albin Kurtit për PDK: Koalicion pa Thaçin e Veselin
Albin Kurti ende ja mban inatin Isa Mustafës për shpërbërjen e bllokut opozitar që synonte të mbante larg pushtetit Hashim Thaçin. Madje kryetarin e LDK-së e akuzon se me PDK e Thaçit u bënë bashkë për interesa të ulëta.“Bindja ime është që PDK-LDK u bënë bashkë për motive të ulëta...Postet, pozitat, tenderët, pagat, rehatim familjarësh, kushërinjsh e kështu me radhë. Pra, nuk ka diçka që është përtej vetes së tyre. Është diçka thellësisht e ngushtë, personale, nganjëherë as klanore dhe unë nuk shoh se si Kosova mund të përparojë pa e rrëzuar këtë qeveri. Nëse ne me marrëveshjen e 10 shtatorit, kemi pasur synim që të jemi pjesë e një qeverie që e vendos Kosovën në binarë të ri, tash ne e kemi për qëllim që ta rrëzojmë një qeveri e cila bazohen në marrëveshjen e 9 dhjetorit me Listën Serbe”, tha kreu i VV-së Kurti.Në këtë situatë qeverinë e re PDK-LDK e paralajmëron për një betejë të fortë jo vetëm brenda sallës së Kuvendit.“Qytetarët e pakënaqur të cilët me të vërtetë janë të pakënaqur mendoj se do të dalin në rrugë sepse edhe ashtu janë në rrugë. Nuk është shtëpi ajo në të cilën nuk ke ngrohje, nuk ke energji elektrike, nuk ke bukë për fëmijët, nuk ke kushte elementare të jetesës ku përfshihet edhe higjiena e një niveli adekuat. Unë e di që qytetarët do të dalin në protesta e demonstrata dhe kjo nuk do të ndodh pse ata i kanë qejf protestat e demonstratat por për shkak se zori është bërë i padurueshëm. Esat Mekuli e ka thënë një shprehje shumë të mirë: “Të gjitha gjërat këputen në jetë duke u tëholluar, a zullumi këputet prej së trashi”, tha Kurti.Por nga ana tjetër, me dy kushte të forta lideri i Vetëvendosjes është i gatshëm për një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës që në zgjedhjet e radhës.“Po, se PDK-ja duhet të dalë në opozitë dhe nga kjo pozitë e opozitës ajo do të mund ta heqë qafe zgjedhën që ia kanë vënë njerëzve kombëtarë dhe të majtë aty Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi. Derisa PDK-ja është në qeverisje nuk ka mundësi të reformohet: dyshja Thaçi-Veseli, Familja-Prona-Shteti, klani “Pronto” do të dominojnë. Kur të del PDK-ja në opozitë, e unë uroj që kjo të jetë edhe para zgjedhjeve të ardhshme, ai brumi atdhetar mund të çlirohet”, shtoi ai.I prerë kundër mbetet edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe Gjykatën Speciale për krimet e Luftës.“Në një situatë të tillë, Gjykatë Speciale tash për UÇK-në, e për shqiptarët... është e qartë se cila është shënjestra e kësaj gjykate. Mendoj se është e padrejtë dhe gjithashtu është e padrejtë që këta kriminelët e paqes të amnistohet për krimet që i kanë bërë në paqe, e kam fjalën për shqiptarët në politikë që janë, dhe, në anën tjetër, të fillohet për pjesën pozitive të tyre gjatë luftës të gjykohen si kriminelë lufte. Kjo është tërësisht e padrejtë dhe ne besojmëe panevojshme’, thekson ai.Lideri i Vetëvendosjes vijon të mbajë qëndrim kritik edhe për Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, për rolin e saj në kohën që vendi ishte në ngërç politik.