Talebanët shkaktojnë masakër në Pakistan, vrasin 130 vetë, mes tyre shumë fëmijë
130 persona, shumica nxënës në një shkollë ushtarake në Pakistan, kanë mbetur të vrarë nga një sulm taleban të ndodhur në orët e para të ditës. Po aq nxënës kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për ndihmën e shpejtë në spitalin e qytetit veriperëndimor Peshavar, ku prindërit janë dyndur në kërkim të fëmijëve të tyre.Në qytet ka mbërritur edhe kryeministri Navaz Sharif, i cili i dënoi sulmet dhe ofroi ngushëllimet familjet e viktimave. Keqardhje për ngjarjen ka shprehur edhe nobelistja pakistaneze Malala Jusafzai, e cila dënoi sulmet dhe i paralajmëroi talebanët, viktimë e të cilëve ka qenë edhe vetë, se vendi i saj nuk do të dorëzohej.Por pas rreth gjashtë orësh luftimesh, ushtria pakistaneze ka arritur të vrasë të gjashtë talebanët, që mbanin peng disa qindra nxënës të tjerë në klasat e shkollës. "Edhe terroristi i gjashtë u vra", ka shkruar në Twitter, Gjenerali pakistanez në krye të operacionit, Asim Baxhval, i cili ka zbuluar se bombat e vëna nga terroristët në godinë kanë ngadalësuar operacionin e shpëtimit.Sipas raportimeve dhe dëshmive të fëmijëve, talebanët kanë hyrë në shkollë në orën 10 të mëngjesit dhe kanë nisur të qëllojnë fëmijët që ndodheshin nëpër klasa. Forcat ushtarake kanë mbërritur menjëherë në vend dhe kanë nisur operacionin e shpëtimit.Sipas raportimeve fillestare mendohej se talebanët kanë qenë vetëm gjashtë vetë."Zgjodhëm shkollën ushtarake sepse qeveria po sulmon familjet dhe gratë tonë. Duam që edhe ata të ndjejnë dhembje", mësohet të ketë deklaruar zëdhënësi i talebanëve, Muhamad Umar Khorasani. Talebanët e Pakistanit po luftojnë për të rrëzuar qeverinë qendrore dhe ngritjen e një shteti islamik, dhe janë zotuar së fundmi se do t’i përgjigjen sulmeve të mëdha që ka kryer qeveria ndaj tyre.