Belgjika paralizohet nga greva më e madhe e transportit ndër vite

Transporti ajror, tokësor dhe hekurudhor u paralizua plotësisht të hënën në Belgjikë, për shkak të grevës mbarëkombëtare të mbajtur nga pilotët, shoferët dhe makinistët kundër politikave shtrënguese të qeverisë, që do të sjellin uljen ndihmës sociale dhe rrisin moshën e pensionit.Jashtë godinave qeveritare në Bruksel, protestuesit ndezën zjarre nëpër rrugë dhe goditën me vezë dhe fishekzjarre policinë.Aeroportet në Buksel, Antverp dhe Liezh u mbyllën për 24 orë, pasi grevës iu bashkua edhe kompania belge e kontrollit ajror.Në total u anulluan 600 fluturime vetëm nga aeroporti i Brukselit, nga të cilët u prekën 50 000 udhëtarë. Megjithatë vetëm pak prej tyre ngecën në aeroport, pasi shumica e kishin marrë vesh për grevën më parë.Gjithashtu u anulluan edhe udhëtimet ndërkombëtare dhe kombëtare të trenave, metrove dhe autobusëve. Si pasojë, qëndruan të mbyllura të gjitha shkollat dhe pjesa më e madhe e kompanive private, por edhe disa prej enteve shtetërore.Që prej nëntorit, disa sindikata kanë organizuar greve dhe protesta në Belgjikë, për të kundërshtuar masat shtrënguese të qeverisë së Sharl Mishel, për t'i shpëtuar penaliteteve të Bashkimit Europian, pasi borxhi publik është rritur deri në 100% të Produktit të Brendshëm Bruto.