Interkonjeksioni me Kosovën, Gjiknuri: Investimi do përmirësojë sistemin
Nga Zadrima e Lezhës, Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, dha siguri se investimet që po kryhen në sistemin energjitik shqiptar do të garantojnë siguri në furnizimin e vendit, do të ulin kostot si dhe do të jenë pjesë e lidhjeve të këtij sistemi me të gjithë Europën.Gjatë inspektimit të punimeve për linjen e Interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, Gjiknuri u shpreh se vitet e ardhshme do të jenë produktive për sektorin energjitik.“Linja është shumë e rëndësishme pasi do të lidhë të dyja vendet tona dhe përmirëson shumë furnizimin me energji elektrike. Kjo linjë rrit sigurinë e furnizimit dhe përbën një nga investimet më strategjike të vendit. Mbi të gjitha për faktin se tanimë Shqipëria dhe Kosova bëhen si rrjet i përbashkët energjitik. Është një investim serioz, i siguruar me fondet e bankës gjermane kfË dhe kuptohet me garanci të qeverisë shqiptare.Po flasim për një investim mbi 28 milion eurosh dhe mendojmë se deri në pranverën e vitit 2016 kjo linjë të jetë plotësisht funksionale. Për konsumatorin shqiptar kjo do të thotë më shumë mundësi furnizimi për gjithë operatorët e sistemit energjitik, më shumë mundësi tregtimi edhe për tregtarët e energjisë elektrike. Për të patur cilësi furnizimi kërkojmë të kemi investime efikase. Ky investim është një nga këto dhe sa më shumë të jetë Shqipëria e lidhur me rrjetet rajonale dhe evropiane aq më shumë rëndësi ka për furnizim më të mirë, qëndrueshmëri të çmimeve”.Për administratorin e përgjithshëm të OST lidhja me termocentralet e prodhimit të energjisë në Kosovë do të garantojë furnizim të qëndrueshëm edhe në stinë të thata në vendin tonë.“Duke patur parasysh se edhe qeveria e Kosovës ka në plan ndërtimin e disa TEC-eve të reja, pasi linjiti e favorizon këtë fakt atje, do të thotë se kemi mundësinë e ndërthurjes së shfrytëzimit të burimeve ujore në Shqipëri dhe linjitit atje. Kjo do rrisë sigurinë e viteve të thata apo dhe marrjen e energjisë me një çmim më të lirë. Të gjitha investimet synojnë drejt reduktimit të çmimit, zvogëlimit të humbjeve dhe kostove të transmetimit të energjisë”.Ndërtimi i linjës së intekonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë ka nisur në prill të këtij viti dhe do të përfundojë në pranverën e vitit 2016. Ky investim do të kushtojë rreth 29 milion euro.