Pas dorëheqjes, kush pritet të zëvendësojë Papa Benediktin?

Dorëheqja e papritur e Papa Benediktit të 16-të, ka bërë që katolikët anembanë botës të hamendësojnë se cili do të jetë zëvendësi i tij si drejtues i besimit më të madh të krishterë në botë.Shumë prej tyre besojnë se papa i ardhshëm do të jetë nga vendet në zhvillim - kryesisht nga Amerika Latine, ku katolicizmi është besimi kryesor, ose nga Afrika, ku numri i katolikëve është në rritje. Por ka një ndjeshmëri në rritje se papa i ardhshëm mund të jetë nga Amerika e Veriut – Kanadaja ose Shtetet e Bashkuara.Vetëm pak orë mbasi Papa dha fjalimin e dorëheqjes, nisën spekulimet e para në Europë se kardinali kanadez Marc Oullet, nigeriani Francis Arinze dhe Peter Turkson nga Gana, ishin kandidaturat më të forta.Si  me i favorizuari shihet kardinali nga Gana, Peter Turkson, njëherësh kryetar i Këshillit të Papës për Drejtësi dhe Paqe. Turkson është 64 vjeç dhe mosha është një favor për të, thonë mediat ndërkombëtare duke u thirrur në qarqet kishtare. Nëse zgjidhet, kardinali Turkson do të ishte Papa i parë me ngjyrë.Gjithsesi, kardinalë nga Filipinet, Argjentina, Brazili dhe Europa janë përmendur si në mediat laike ashtu edhe në ato kishtare si kandidatë të mundshëm. Në Shtetet e Bashkuara, kardinali Timothy Dolan nga Nju Jorku, është përmendur si një pasardhës i mundshëm i Papës.Papa Bendikti, i cili është gjerman, është papa i dytë jo italian në më shumë se 500 vjet; paraardhësi i tij, papa Gjon Pali i dytë, i lindur në Poloni, ishte i pari papë jo italian në krye të Vatikanit.Papa zgjidhet nga grupi i kardinalëve, i cili është niveli më i lartë i klerikëve në kishën katolike.Kardinalët mblidhen në Vatikan 15 ditë mbas vdekjes së papës ose dorëheqjes së tij, dhe kryejnë një betim të fshehtë ndërsa nisin mbledhjen. Ata janë të izoluar nga bota deri sa një papë i ri të zgjidhet.Kardinalët votojnë me votim të fshehtë, dhe papa duhet të zgjidhet me dy të tretat e votave. Mbasi kryhet votimi, votat digjen. Kur papa zgjidhet, mbas numërimit të votave, letrat e votimit lyhen me një lëndë që shkakton tym të bardhë gjatë djegies së tyre,- çka i bën me dije botës se Papa u zgjodh.Profili i Papa BenediktitPapa Benedikti XVI, Papa i parë që jep dorëheqjen në afro 600 vjet, vuri vulën e tij si kreu i Selisë së Shenjtë, duke marrë emër si teolog i fortë dhe zbatues i doktrinës së Kishës Katolike.I pagëzuar me emrin Joseph Ratzinger, ai u bë i pari gjerman që merrte detyrën e Atit të Shenjtë në afro 1000 vjet, kur u zgjodh në vitin 2005 si pasues i Papa Gjon Palit II.Ai ishte një figurë e njohur në hierarkinë e Kishës Katolike edhe para se të bëhej Papë. Gjatë Papatit të Gjon Palit II, ai mori detyrën e kreut të zyrës që mbikqyr dhe zbaton doktrinën e Kishës. Por karakteri i tij më i rezervuar nuk e lejoi që të merrte kurrë statusin që kishte paraardhësi i tij më karizmatik, Papa Gjon Pali II.Papa Benedikti solli gjatë Papatit të tij disa pikëpamje të forta që shkaktuan shumë polemika. Ai kundërshtonte idenë që gratë të lejoheshin të bëheshin priftëresha dhe e cilësoi homoseksualitetin si një mëkat i brendshëm moral. Papa Benedikti po ashtu ka argumentuar se Turqia myslimane nuk ka vend në Evropën e krishterë. Në një dokument të kishës ai shprehet se Katolicizmi është feja e vetme e vërtetë.Gjatë viteve të tij si Papë, Benedikti ka punuar për të forcuar mësimet e kishës kundër abortit, profilaktikëve dhe laicizmit.Gjatë tetë vjetëve si kreu i Selisë së Shenjtë hasi një numër sfidash, përfshirë skandalin e rëndë të abuzimit seksual të fëmijëve në duart e disa priftërinjve si dhe rënien e numrit të besimtarëve që ndjekin Katolicizmin në Evropë dhe Amerikën Latine.