Berisha sulmon Ramën: Ka krijuar bandë më 19 kriminelë
Ish kryeministri Berisha ka qenë mjaft i ashpër për kryeministrin Rama duke e akuzuar atë se në parlament ka një bandë me 19 kriminelë.Ish-kreu i PD gjatë një komenti të grupit demokrat akuzoi gjithashtu qeverinë aktuale edhe për shumë çështje të tjera, madje paralajmëroi protesta të ashpra deri në mosbindje civile.“Nuk mund të pranoj që në grupin parlamentar të PS, partisë kryesore të majtës shqiptare të marrin mandate 19 deputetë vrasës , perdhunues, trafikantë, vjedhës ordinerë dhe shumë prej tyre ondividë që nuk kanë qenë edhe një ditë të vetme në PS. Ju bëj thirrje shqiptarëve, studentëve, prindërve të tyre të përdorin mjetet demokratike deri në mosbindje civile për të mbrojtur të drejtat e tyre të ligjshme. Largimi i Edi Ramës është emergjencë kombëtare. Shqiptarët janë të revoltuar me Edi Ramën, sepse ai është i pari politikan në 23 vite që ulet në karrigen më të lartë të ekzekutivit, si asnjë homolog tjetër ne botë apo ne Europën e lirë mbi bazën e premtimeve të pashembullta për një vend të lirë, por të njëjta me ato që bëheshin në Shqipërinë Hoxhiste. Edi Rama duhet të largohet sa më parë, sepse në rehabilitimin e Enver Hoxhës po con vendin në një konflikt të pashmangshëm”Duke iu rikthyer edhe njëherë daljes së kryeministrit Rama me Luiza Xhuvanin një një konferencë për mediat, ku deputetja Xhuvani dha dorëheqjen pasi djali i saj akuzohej për vrasjen e 4-fishtë, Berisha tha se me këtë veprim Rama shkeli kodin etik të të gjallëve.“Lidhjet e Ramës me krimin e detyruan atë pas një vrasje të 4-fishtë nga Konstadini i partisë të shkelë cdo kod etik të të gjallëve dhe të paraqitet vetëm pak orë pas krimit monstruoz në njërën nga sallat me luksuzo të kryeministrisë. Jo me nënën e një prej viktimave por me nënën e xhelatit që ekzekutoi në mëngjes 4 qytetarë. Në këtë show Rama shkoi edhe më tej. Në vend të ngushëllimit dhe dënimit të aktit të vrasësit ju paraqiti si standard të padëgjuar shqiptarëve dorëzimin e mandatit nga deputetja e tij, nëna e xhelatit të vrasësit. Largimi i Ramës është një emergjencë kombëtare.”Fjalimi i ish-kryeministrit Berisha, ashtu siç tha edhe vetë ai, e kishte përgatitur njësoj sikur do ta mbante në parlament.Deklaratat e ashpra të Sali Berishës u bënë gjatë prezantimit të 31 amendamenteve të PD për buxhetin dhe paketën fiskale.