Rama në terren për aksionin e energjisë: Të gjithë njësoj para ligjit
Për herë të parë që pas nisjes së aksionit, kryeministri Rama ka asistuar në një prej bizneseve abuzuese me energjinë në autostradën Tiranë-Durrës.Kreu i qeverisë është njohur me një rast konkret ku abonenti ka qenë debitor prej 2.4 milionë lekësh, por edhe ka shmangur detyrimin duke faturuar 7.6 dhe jo 12.2 lekë dhe sipas kryeministrit Rama të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.“Kushdo që të dalë përpara si hajdut, qoftë nga ata që janë mësuar të konsumojnë energji në kurriz të të tjerëve, qoftë nga ata në kompani që janë mësuar t’i lexojnë sahatet për qejfin e hajdutëve do të ndëshkohet pa asnjë tolerancë. Sepse, në fund të fundit ju, e dini shumë mirë, që të gjithë, se nuk mundet që të ketë një vjedhje kaq të përhapur, në qoftë se nuk ka bashkëpunim nga brenda kompanisë, nga njerëz që shkojnë dhe bëjnë lojëra me fatet e popullit shqiptar dhe me paratë e këtyre të tjerëve; pensionistë, persona me aftësi të kufizuar, familjarë, biznesmenë që i qëndrojnë korrekt detyrimeve. Kjo lojë mbaroi. Është operacion i një trupi që i ka nga të katër anët metastazat e kancerit të hajdutërisë. Kjo Qeveri e ka ndarë pozicionin e vet që ditën e parë: Është në krahun e atyre që respektojnë ligjin, është në krahun e atyre që e paguajnë energjinë”