Protesta të dhunshme në Bruksel kundër masave të reja kursimtare të qeverisë

Përleshje të forta mes qindra protestuesve dhe policisë belge janë shënuar pasditen e së enjtes në Bruksel, edhe pse gjithçka nisi me një marshim paqësor të sindikalistëve kundër reformave për uljen e shpenzimeve buxhetore të qeverisë së re në vend.Protestuesit kanë përmbysur makinat në rrugë dhe kanë hedhur shashka ndaj policisë, e cila është kundërpërgjigjur gaz lotsjellës dhe i ka shpërndarë me ujë me presion. Policia nuk raportoi shifrën e të arrestuarve dhe as numrin e të lënduarve.Para përshkallëzimit të ngjarjes, rreth 100 mijë belgë kishin dalë në një tubim paqësor në qendër të Brukselit për të kundërshtuar masat e reja kursimtare të qeverisë së Sharl Mishelit. Më parë, kryeministri i ri kishte ftuar drejtuesit e tre sindikatave më të mëdha në vend për bisedime, por nuk ishte arritur asnjë marrëveshje.Pasi nisi punën vetëm një muaj më parë, qeveria e re belge njoftoi se do të rriste moshën e pensionit, do të anullonte rritjen e rrogave të administratës parashikuar për vitin e ardhshëm dhe do të shkurtonte buxhetin për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.Si pasojë, sindikatat kanë planifikuar të nisin një seri grevash duke filluar nga data 24 nëntor.Protesta kundër qeverisë janë shënuar edhe në Rusi, ku disa qindra vetë të mbledhur pranë Kremlinit kërkuan largimin e Vladimir Putinit. Policia ndërhyri për të shpërndarë turmën dhe raportoi se ka ndaluar më shumë se 400 vetë. Me parrulla si "Lironi Rusinë nga litarët e Putinit", protestuesit shprehën si çdo muaj, në datën 6, kundërshtimin e tyre për rizgjedhjen e Putinit president, më 6 maj 2012.