Fratari: Arrestimi im s’nderon Shqipërinë, çështja në Strasburg

Tiranë- Gati dy javë pas arrestimit të bujshëm për një paligjshmëri në lejen e ndërtimit, ndërtuesi Hajdredin Fratari ka vendosur të tregojë të gjithë historinë e 24 tetorit përmes një deklarate për shtyp të shpërndarë për mediat.Që në fillim, Fratari shpjegon se arrestimi dhe mbajtja e tij në paraburgim është bërë në kundërshtim të hapur me ligjet e vendit.“ Kjo ngjarje ishte drama e dytë e përjetuar për familjen time që pas përsekutimit dhe burgosjes 20 vjeçare në kohën e diktaturës nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës” shkruan Fratari.Sipas versionit të Fratarit, me 24 tetor në orën 10:15 në zyrën e tij ka mbërritur vendimi i INUK për pezullim 10 ditor të punimeve, ndërsa në kantier kishte shkuar një patrullë policie që shoqëroi në komisariat punëtorët që ishin duke punuar, ndërsa kërkuan që vetë Fratari të paraqitej në postën e policisë së Farkës, ku i vunë dhe prangat.Sipas ndërtuesit asnjë prej policëve nuk i ka dhënë shpjegime për arrestimin. Ai shpreh bindjen se urdhëri duhet të ketë ardhur nga dikush nga lart, duke argumentuar se dihet nga të gjithë që INUK dhe Policia e Shtetit drejtohet nga Ministria e Brendshme dhe Ministri përkatës i qeverisë Rama.Pavarësisht kësaj, Fratari nuk ka kërkuar që çështja të trajtohet si politike, ndërsa shprehet se leja e ndërtimit është krejtësisht e rregullt. Ai deklaron se do ta ndjekë këtë çështje deri në Gjykatën Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.Deklaratë e plotë e Frataj: Arrestimi im me urdhër nga lartNëpërmjet kësaj deklarate, ndonëse të vonuar për arsye personale, dëshiroj të sqaroj opinionin publik shqiptar lidhur me arrestimin e paligjshëm, pa asnjë shkak dhe të dënueshëm, të ushtruar ndaj meje në datë 24 Tetor 2014, si dhe mbylljen në mjediset e paraburgimit në datat 24, 25 dhe 26 tetor, në shkelje të plotë të ligjeve të vendit dhe të Drejtave Themelore të Njeriut të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.Për të gjithë ata që nuk më njohin, dëshiroj të theksoj se kjo nuk është padrejtësia dhe vuajtja e parë dhe as më e madhja që personit dhe familjes sime u janë shkaktuar ndër vite. Në vitin 1979 jam arrestuar dhe dënuar me 20 vite burg, sipas nenit famëkeq të agjitacion-propagandës, për të vetmen arsye pse isha pasardhës i njërës prej familjeve më patriote dhe bir i një babai që kundërshtoi terrorin stalinist.Pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri, ju dedikova me përkushtim, me korrektesë dhe me ndershmëri pasionit tim të hershëm të ndërtimit. Sipërmarrjen time e kam ngritur vetëm me djersën e ballit dhe me punën e ndershme, nuk i kam rënë asnjëherë askujt në qafë dhe nuk kam shkelur asnjëherë asnjë ligj, asnjë rregull të shtetit dhe të vendit tim. Por kjo nuk i ndaloi të vepronin ata që organizuan skenarin e fundit ndaj meje. Fatkeqësisht pas njëzet e dy vitesh demokraci, familja ime dhe unë personalisht përjetuam sërish një dramë të rëndë. Një dramë që na risolli ndër mend persekutimet dhe vuajtjet që kanë ndjekur fatin e familjes Fratari, së cilës i është dashur të përballet kohë mbas kohe me mllefin haxhiqamilist, me dhunën dhe me persekutimin hoxhist dhe, tashmë, edhe me hakmarrjen personale.Më datë 24 tetor 2014, në orën 1015 një punëtor më sjell në zyrë urdhërin nga INUK për pezullim 10-ditor punimesh të objektit që po ndërtoj. Një orë përpara, policia kishte shkuar në objekt dhe kishte nëpërkëmbur katër punëtorë me preteksin e kontrollit. Punëtorët që ruanin objektin dhe merreshin me pastrim e me sistemim materialesh më pas u shoqëruan në polici. Ndërkohë mua më kërkuan të paraqitesha në Postën e Policisë Farkë ku pa asnjë mandat më vunë direkt prangat. Nuk u mjaftuan me kaq por më bënë edhe një xhiro me pranga përpara atyre që ishin grumbulluar. Pa kundërshtuar hypa në makinën e policisë. Kur i pyeta pse po më arrestojnë m’u përgjigjën shkurt e prerë: “Je i arrestuar”. Nuk po u besoja fjalëve të përfaqësuesit të Policisë së Shtetit dhe nuk po e përfytyroja dot se si pas dy dekadash demokraci në Shqipëri mund të arrestohesh në këtë menyrë.Gjykimi i të gjithë opinionit publik shqiptar të njohur me ngjarjen, por edhe bindja ime personale, është se padyshim urdhëri duhet të ketë ardhur nga dikush më lart. Vetëm nën një urdhër të tillë policia do të gjente kurajon që pa asnjë mandat dhe duke shkelur të gjitha procedurat të arrestonte dhe të mbante në paraburgim pa asnjë arsye një sipërmarrës të rregullt dhe për më tepër të moshës mbi 70 vjeç, gjë që nuk është aspak në përputhje me ligjin. Dihet nga të gjithë që INUK dhe Policia e Shtetit drejtohet nga Ministria e Brendshme dhe Ministri përkatës i Qeverisë Rama.Se si u organizua i gjithë ky proces i takon drejtësisë ta sqarojë, por ajo që do të doja të shtoja është se me porosinë time, avokati im deklaroi që ditën e parë se çështja nuk duhej të trajtohej politikisht. Këtë e kërkova për arsyen e fortë se nuk dëshiroja kurrsesi që çështja ime të merrte ngjyrim politik, për të mos krijuar përshtypjen e gabuar se unë isha në parregullsi ligjore në lidhje me punën time ndërtimore dhe po kërkoja ta mbuloja atë me bujë apo me mbështetje politike. Dëshiroj të saktësoj gjithashtu që ky ndërtim në tokën time, për të cilin u akuzova se ishte pa leje, po kryhet bazuar mbi lejen e rregullt të ndërtimit me Nr. 661 të nxjerrë nga Komuna Farkë më datë 4 Prill 2012 bazuar mbi Vendimin Nr. 5 të K.RR.T., Komuna Farkë të miratuar më datë 29 Shtator 2011. Më datë 10 Shtator 2014, është depozituar nga ana jonë sipas të gjitha kërkesave ligjore edhe kërkesa për zgjatjen e afatit të lejes. Dosja e plotë e dokumentacionit të depozituar si përpara marrjes së lejes dhe gjatë zbatimit të saj ndodhen në Komunën Farkë dhe një kopje të çdo dokumentacioni jam i gatshëm dhe i hapur ta vendos në dispozicion të medias apo të kujtdo të interesuar.E ritheksoj, se gjatë gjithë jetës dhe karrierës sime profesionale nuk kam shkelur asnjëherë asnjë ligj dhe asnjë rregull të shtetit tim. Si qytetar që i bindem ligjeve të vendit tim, jam plotësisht i vendosur që për çështjen e arrestimit tim të paligjshëm të kërkoj ndjekjen penale deri në Gjykatën e Strasburgut. Kam besim se drejtësia do ta thotë fjalën e saj. Ndërkohë deklaroj me dhimbje se është e pafalshme që ndaj atyre që ushtrojnë biznes të ndershëm në Shqipëri ushtrohen në menyrë të herë pas herëshme sulme të tilla të paligjshme dhe të paarsyeshme të cilat shpesh kryhen për qëllime abuzive materialiste të zyrtarëve të korruptuar.E jap këtë deklaratë me bindjen dhe me ndërgjegjen më të pastër duke menduar se me këtë akt i bëj një shërbim modest shoqërisë shqiptare dhe demokracisë në vendin tim. Unë dhe familja ime e bëjmë këtë pasi gjykojmë që sensibilizimi i shoqerisë sonë ndaj akteve të tilla flagrante është para së gjithash një obligim qytetar. E bëjmë këtë edhe se një ditë ne nuk duam të kthejmë kokën prapa e me pendim të themi: në fillim arrestuan Fratarin dhe unë nuk fola, se nuk isha ndërtues, pastaj arrestuan dikë tjetër dhe unë prap nuk fola se nuk kishte lidhje me atë çfarë unë bëja, pastaj arrestuan të tjerë e të tjerë e unë sërisht nuk fola, deri sa një ditë erdhën e më arrestuan edhe mua, por fatkeqësisht atë ditë nuk kishte mbetur askush që të thonte së paku një fjalë… !!Së fundmi, dua me gjithë zemër të falenderoj të gjithë opinionin publik, organizmat apo institucionet shqiptare si dhe miqtë e mi kudo ku ndodhen, që me mbështetjen morale i dhanë dimensionin e duhur kësaj ngjarjeje që padyshim nuk e nderon aspak Shqipërine Evropiane.Me respekt, Hajredin Fratari